Shqipëria

‘244 familje hyjnë në çatinë e re’ në Fushë-Krujë


Në Fushë-Krujë, “244 familje hyjnë në çatinë e re”.

Kështu ka pohuar ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në takimin e radhës në Fushë-Krujë, në kuadër të vijimit të dorëzimit të shtëpive për familjarët që u preken nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019.

I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka ritheksuar se familjet do t’i marrin shtëpitë “pa asnjë qindarkë dhe me titull pronësie”.

Ndërkaq, kryeministri ka shprehur “krenarinë” për çdo çelës që do të jepet për të vërtetën e dhënies së shtëpive falas, e vërtetë që, sipas tij, është nëpërkëmbur gjithë këto kohë.

Ai ka treguar se aty është bërë një punë gjashtëmujore, e cila duket “një botë e re”.

Kryeministri ka treguar edhe se do të niset një projekt i ri strehimi për çiftet e reja dhe shumë familje në nevojë për t’ju ardhur në ndihmë atyre që s’mundet ta realizojnë këtë vetë.

Rama e ka përmbyllur fjalën e tij, duke thënë se “puna flet vetë”.

Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj ka ravijëzuar se janë gjithsej “49 mijë familje që kanë përfituar nga programi i rindërtimit”.

Dhe se Fushë-Kruja është kantieri i gjashtë i rindërtimit në procesin e rindërtimit.

Jo më larg se ditën e djeshme, Rama ndodhej në Bubq, ku dorëzoi 45 apartamente dhe 77 shtëpi individuale.

Nga atje, kryeministri theksoi se procesit do t’i shkohet deri në fund.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore