Gjykata Speciale

24 vjet nga masakra e Burgut të Dubravës, për të cilën Enver Dugolli ka dorëzuar dëshmi në Hagë


Më 19 maj të vitit 1999 në burgun famëkeq të Dubravës, kur serbët mbanin në arrest qindra shqiptarë, kishte filluar mizoria e ushtarëve dhe policëve serbë kundër të burgosurve, për të zgjatur disa ditë, deri më 24 maj.

Në hapësirat e Burgut të Dubravës u vranë e masakruan 117 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën rreth 200 të tjerë.

Më 22 maj, forcat serbe të sigurisë rreshtuan afërsisht 1,000 të burgosur në oborr dhe qëlluan mbi ta me snajperë, mitralozë dhe granata nga muret e burgut dhe kullat për roje, duke vrarë të paktën shtatëdhjetë njerëz.

Brenda këtij burgu gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Për këtë masakër ende nuk është dënuar askush.

Përputhja e dëshmive të dëshmitarëve, me detaje specifike për kohët dhe vendndodhjet, nuk lë dyshim se forcat e qeverisë serbe dhe me gjasë edhe ato jugosllave kanë vrarë me qëllim dhe pa nevojë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në burg.

Një nga të mbijetuarit e kësaj masakre, deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale dhe ka bërë kërkesë për hetime te Prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Alex Whiting.

Dugolli përmes një konference për media të shtunën, më 6 maj, kishte thënë se me këto fakte pret që Zyra e Prokurorisë Speciale të dëshmojë që nuk është një Gjykatë një-etnike, e cila i akuzon vetëm shqiptarët.

Gjykata Speciale, sipas deputetit të LVV-së duhet të dëshmojë që do t’i gjykojë ata që kanë kryer krime të vërteta përmes masakrave të shumta e vrasjeve masive siç ka ndodhur në majin e vitit 1999 në burgun e Dubravës.

“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nis hetimet sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër. Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ndër të tjera ka theksuar se kjo çështje është nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, e cila është e përcaktuar në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Këto dispozita përshkruajnë çështjen nënligjore, juridiksionin kohor, territorial dhe personal të Dhomave të Specializuara. Krimet e kryera gjatë planit dhe kryerjes së masakrës plotësojnë të gjitha kërkesat juridiksionale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore