Lajme

2021, aksionet e Njësive Speciale në Veri, vrasjet në rajonin e Dukagjinit dhe kapja e 800 kg drogë


Veriu i Kosovës ishte trazuar gjatë vitit 2020.

Në këtë pjesë Njësitë e Policisë Speciale, zbarkuan tri herë brenda vitit që e lamë pas.

Në pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, specialët qëndruan nga 20 shtatori deri më 30 shtator.

Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë e rruga u bllokua nga serbët lokalë me kamionë, në shenjë proteste kundër këtij vendimi të ekzekutivit.

Mes provokimeve të Serbisë me helikopterë e avionë ushtarakë dhe bllokimit të rrugëve, gjithçka përfundoi më 30 shtator kur pala kosovare dhe ajo serbe arritën një marrëveshje tri pikëshe për targat në Bruksel.

Por si filloi e gjithë kjo?

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.

Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në veri, duke i bllokuar rrugët me kamionë.

Protestuesit serb nuk mbetën të vetëm, reagimi i shtetit serb ishte i menjëhershëm.

Serbia, me anë të helikopterëve ushtarak e avionëve të prodhimit rus MIG-29 provokoi situatën në veri të vendit.

Si pjesë e kërcënimeve, Serbia dërgoi një divizion të tankeve në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi nga qyteza e Rashkës.

Ndërsa kërcënimet nga Serbia vazhdonin, përbrenda Kosovës.

Lista Serbe vendosi billborda në komuna me shumicë serbe ku shkruhej “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”.

Pas 13 dite bllokadë, Njësia Speciale Policës u larguan nga vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, bashkë me barrikadat, e aty u vendosen KFOR-i.

Kjo ishte pika e parë nga tri sa janë gjithsejtë si pjesë e marrëveshjes mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel të enjten më 30 shtator 2021 për targat.

Sipas pikës 2 të kësaj ujdie, nga 4 tetori, do të fillonte së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Ndërkaq, në pikën tre thuhej se palët e dy shteteve do të takohen më 21 tetor për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave.

Aksioni kundër kontrabandës dhe rezistenca e serbëve lokalë

Aksioni i kontrabandës nisi në orët e hershme të 13 tetorit në disa lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut, të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.

Ky operacion u përcjellë me protesta të dhunshme të serbëve lokalë.

Me dhjetëra qytetarë serbë u mblodhën në afërsi të një barnatore në të cilën Policia po konfiskonte mallrat e kontrabanduara dhe po kërkonte pronarin, i cili ishte i njohur për veprimtarinë kriminele tek organet e rendit.

Serbët sulmuan policët duke hedhur në drejtim të tyre, gurë, mjete piroteknike e granata luftarake të dorës.

 

U raportua edhe për të shtëna me armë zjarri.

Nga këto sulme, mbetën të lënduar 10 zyrtarë policorë në mesin e tyre edhe komandanti i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti.

Policia dyshoi se u rrodhi informacioni

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, pati thënë se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit lidhur me operacionin e Policisë në Veri.

“Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’ka mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit”, theksoi Mehmeti.

“Totali i planifikuar për kontroll ka qenë në 26 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, 6 në Pejë, 10 në Mitrovicën Jugut, 5 në Mitrovicën e Veriut në Zveçan”.

Samedin Mehmeti

Sipas tij “ka pasur hedhje të granatave luftarake të dorës”.

“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme drejt zyrtarëve policor, 10 zyrtarë policor kanë pësuar lëndime trupore, 7 prej tyre të nacionalitetit shqiptarë”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se ky operacion ka filluar rreth 1 vit më parë dhe veprimet operacionale janë zhvilluar gjithë kohës.

“Kemi bërë kontrolle në lokacione të dyshuara, sekuestrim të mallrave dhe arrestim të personave të dyshuar. Të gjitha aksionet janë realizuar në koordinim të plotë me prokuroritë dhe gjykatat kompetente”.

Mehmeti ka theksuar se në të gjitha rajonet e tjera operacioni ka kaluar pa asnjë problem, “në pjesën veriore të Mitrovicës, grupet kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar dhe kanë krijuar bllokim të rrugëve”.

“Kanë hedhur shok bomba, kanë shtënë më armë të ndryshme të zjarrit me qëllim të pengimit dhe sulm ndaj zyrtarëve doganor. Operacioni ka mbuluar dy raste, njëri rio tjetri mjekra”.

Aksioni kundër kontrabandës me mallra, prapë dyshime për rrjedhje të informacionit

Dogana e Republikës së Kosovës në orët e mëngjesit të shtunës së 25 dhjetorit ka zhvilluar një aksion kontrolli në tri lokacione në Veri të Kosovës, kundër kontrabandës me mallra.

Ky aksion i Doganës është asistuar nga Policia e Kosovës.

Dogana në një njoftim në rrjetin social Facebook patën njoftuar se ky operacion ka filluar në orët e para të mëngjesit ku qëllimi ishte të kontrollohen bizneset të cilat operojnë në rajonin e Zubin Potokut, respektivisht dy lokacione në fshatin Zupçe dhe një tjetër në fshatin Uglar.

“Operacioni ka pasur qëllim kontrollin e bizneseve për shmangje të tatimit si dhe veprimtari ilegale të kontrabandimit të mallrave. Operacioni ka rrjedhur pa asnjë incident”.

Ndërkaq Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut është shprehur se ka pasur rrjedhje të informacionit zyrtar për njërin nga lokacionet.

Xhelal Sveçla

“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin paisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se aksioni i PK-së ka përfunduar pa ndonjë incident.

“Policia e Kosovës në mbështetje të veprimtarisë së Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Komunën e Zubin Potokut me ç‘rast janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente”.

Vrasjet që tronditën Kosovën

Të premten e 26 nëntorit, tre persona, në mesin e tyre dy nxënës mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 nga një apo më shumë persona të maskuara të cilët kishin nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçan

Me gjithë impenjimin e Policisë së Kosovës, ende nuk është gjetur personi apo personat që mund të kenë kryer këtë akt.

Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist. Por, më 11 dhjetor, Kryeprokuror i Prokurorisë së shtetit në Pejë, Agim Kurmehaj, theksoi se janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e cila ka ndodhur para disa ditësh në fshatin Gllogjan.

“Pas ndodhjes së këtij rasti kemi filluar hetimet intensive së bashku me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit dhe njësive relevante policore. Me vendimin e prokurores së çështjes janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Ndryshe Qeveria e Kosovës pati ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Vrasja në Gllogjan nuk ishte e vetmja që tronditi Kosovën gjatë këtij viti.

Në muajin shtator në Pejë ndodhi një vrasje e dyfishtë. Në këtë qytet pas të shtënave me armë zjarri të vrarë mbeten kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, ndërsa mbeti i plagosur vëllai i këtij të fundit.

Ndërsa gusht të këtij viti në Ferizaj ndodhi një krim tjetër tronditës.

18-vjeçarja Margona Osmani, ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Ajo dyshohet se vdiq si pasojë e torturave fizike që për dy ditë ia kishte shkaktuar personi që po bashkëjetonte me të, Dardan Krivaqa, që tashmë është në paraburgim.

Policia e Kosovës: Për 12 muaj u konfiskuan mbi 800 kilogramë drogë

Policia e Kosovës në vitin që po lëmë pas ka zhvilluar shumë aksione për luftimin e narkotikëve gjatë të cilave pati konfiskim të drogës dhe arrestime.

Për 12 muaj Policia e Kosovës ka arritur të konfiskoj 857 kilogramë drogë të llojeve të ndryshme si, marihuanë, kokainë, heroin.

Lloji i drogës i cili u konfiskua më së shumti gjatë viti 2021 ishte marihuana me 441 kilogramë e 746 gramë.

Aksioni më i madh ku janë përfshirë ndonjëherë organet e rendit në Kosovë ishte në maj të këtij viti ku u konfiskuan 400 kilogramë kokainë dhe u arrestuan shtatë persona.

Ky aksion u zhvillua në bashkëpunim edhe me Agjencinë Anti-Drogë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës DEA, Agjencia italiane Guardia di Finanzia, dhe Policinë e Shqipërisë.

Lipjan

Ndryshe bazuar në të dhënat statistikore të Policisë së Kosovës, në Kosovë për periudhën janar-gusht të këtij viti janë kryer 19 vrasje, ku 12 prej tyre janë cilësuar si vrasje e rëndë.

Të dhënat e Policisë së Kosovës në raport me vrasjet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Kosovë janë ndjeshëm më të ulët se sa vrasjet që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar.

Për muajin janar-tetor të këtij viti bazuar në të dhënat statistikore të Policisë së Kosovës, në rrugët e Kosovës janë shkaktuar 86 aksidente fatale dhe janë shkaktuar 97 vdekje si pasojë e tyre.

Për 12 muajt e vitit të kaluar në Kosovë janë raportuar gjithsej 2 mijë e 101 raste të dhunës në familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore