Sport

20 mijë euro është premia në rast se Llapi e kalon Buducnost-in


20 mijë euro është premia që do t’i jepet futbollistëve të Llapit, në rast se këta të fundit arrijnë të kalojnë në raundin tjetër në Ligën e Konferencës.

Për ta përfituar këtë shumë, futbollistët e Llapit duhet ta mposhtin skuadrën malazeze, Buducnost me së paku dy gola epërsi në ndeshjen e kthimit, pasi ajo e para në Podgoricë përfundoi me rezultat 2:0 në disfavor të Llapit.

Lajmin për premi, e bëri të ditur trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në konferencën për media.

“Lojtarët kanë një bonus të mirë për nesër. Nëse kalojmë tutje do të marrin 20 mijë euro. Është një shumë e konsiderueshme për lojtarët”, theksoi trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Batatina shtoi më tutje se ekipi i tij janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe do të japin maksimumin, derisa tha se njohin pikat e dobëta të kundërshtarit.

“Do të jetë një ndeshje e veçantë. Kemi marrë të gjitha masat si skuadër si në aspektin organizativ, në aspektin taktik dhe do ta japim maksimumin”, shtoi Batatina.

“Kemi informacionet e duhura për kundërshtarin, i dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta. Nesër duhet të ndryshojmë taktikisht që të arrijmë te pjesa që ne kërkojmë si ekip. Do të ketë ndryshime taktike në skuadër”, tha mes tjerash Batatina.

Kujtojmë që ndeshja Llapi – Buducnost, do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet të jenë mbi 10 mijë tifozë të pranishëm në tribuna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore