Lajme

19 gazetarë cak i sulmeve në Kosovë, ende pandëshkueshmëri për këto raste


Ilustrim: Kamerat e gazetarëve në Kosovë gjatë raportimeve në terren.

19 gazetarë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve gjatë periudhës janar-shtator 2021 në Kosovë, të cilat raste i ka trajtuar Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ajo ka sqaruar për AP, se dhjetë nga këto raste janë zgjidhur ndërkaq të tjerat janë ende në proces.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë periudhës kohore Janar-Shtator 2021, ka pranuar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, prej tyre dhjetë (10) janë zgjidhur, ndërsa të tjerat janë në proces”, deklaroi Ulaj.

Edhe pse sulme ndaj gazetarëve ka pasur gjatë viteve, nuk ka statistika në institucione për dënimet e sulmuesve të gazetarëve në Kosovë.

Që nga viti 2017 deri në vitin 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar 60 raste të cilësuara “Kanosje” dhe 16 të cilësuar si “Sulm”.

Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha ka treguar për Albanian Post se ky asociacion avokon në vazhdimësi për “zbardhjen e vrasjeve së të gjithë gazetarëve të të gjitha etnive dhe pa marrë parasysh periudhën kur kanë ndodhur ato”.

Gazetarët në Kosovë gjatë raportimit.

Sulmet ndaj gazetarë në Kosovë

Gazetari Shkumbin Kajtazi më 18 tetor në vitin 2020 e kishte gjetur veturën e tij me vrima e plumba të shumtë.

Sulmi kishte ndodhur në qendër të qytetit të Mitrovicës, ku vetura ishte e parkuar, ndërsa Kajazi ishte afër dhe kishte dëgjuar krisma.

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky sulm, për këtë rast nuk është arrestuar e as dënuar askush.

Në vitin 2020, gazetari Valon Syla ishte sulmuar nga një person derisa dikush tjetër po e xhironte sulmin.

Për sulmin që ndodhi në dhjetor të 2020-s, në janar të vitit 2021 Gjykata e dënoi të dyshuarin me 4 mijë e 500 euro gjobë.

Sulmi ndaj veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi.

Këtë dënim e kishe parë si të papranueshëm edhe juristja e mediave, Flutura Kusari.

“Gjykata është dashur ta dënojë sulmuesin me burgim dhe kështu të çonte mesazh te të tjerët se rrahja e gazetarëve ka pasoja të rënda juridike”, kishte shkruar ajo në një postim në Facebook.

Askush nuk është dënuar apo arrestuar as për sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi më 25 shkurt 2021.

Sulmi nga disa persona, Duriqit i kishte shkaktuar lëndime trupore duke përfshirë thyerje të hundës dhe dhëmbëve.

Ndryshe më 8 shtator, “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj “Albanian Post”.

AGK përmes një reagimi ka bërë të ditur se “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin që deputeti i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, Haki Abazi ka bërë ndaj mediumit ‘Albanian Post’, dhe drejtorit të tij, Baton Haxhiu”.

Sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës

Më 13 tetor në Veri të Kosovës, dëmtim të pajisjeve, ndjekje e sulme me mjete shpërthyese piroteknike janë disa nga ngjarjet, me të cilat u përballen gazetarët.

Gjatë raportimit për aksionin e Prokurorisë kundër kontrabandës në disa qytete të Kosovës, përfshirë komunat me shumicë serbe, u regjistruan disa sulme ndaj gazetarëve.

Në platformën e Asociacionit të Gazetarëve janë shënuar të paktën tri raste të sulmeve në atë ditë.

Gazetarët duke raportuar nga Veriu i Kosovës

Njëri nga këto sulme kishte ndodhur derisa kamera e televizionit “Kanal 10” po xhironte dhe po transmetonte pamje të drejtpërdrejta.

Gazetarja Albulena Rexha u godit nga një mjet piroteknik shpërthyes dhe transmetimi u ndërpre.

Çfarë shënon 2 nëntori?

2 nëntori, shënon Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve”, e cila u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutë së Asamblesë së Përgjithshme A/RES/ 68/163, në vitin 2013.

Në 14 vitet e kaluara, më shumë se 1 mijë gazetarë janë vrarë për raportimin e lajmeve dhe sjelljen e informacionit në publik. Në nëntë nga dhjetë raste vrasësit kalojnë të pandëshkuar.

Rezoluta e OKB-së u kërkoi shteteve anëtare të zbatojnë masa të caktuara që kundërshtojnë kulturën aktuale të pandëshkueshmërisë.

Kjo rezolutë dënon të gjitha sulmet dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.

Kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve, kërkohet ndëshkim për sulmuesit

Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve u zgjodh si datë në përkujtim të vrasjes së dy gazetarëve francezë në Mali, më 2 nëntor 2013.

Sipas raportit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, për 226 nga 278 gazetarët që janë vrarë nëpër botë në dekadën e fundit, nuk ka pasur ndëshkim.

Sipas raportit, ndër shtetet me nivelin më të lartë të mosndëshkueshmërisë për këto raste janë Somalia, Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Afganistani.

Në këtë raport janë përfshirë vetëm shtetet me pesë ose më shumë raste të pazgjidhura të vrasjes së gazetarëve, e në këtë kategori nuk hyjnë vendet e Evropës.

Por, sipas një deklarate të Komisionit Evropian vetëm në vitin 2020, 908 gazetarë dhe punëtorë të mediave janë sulmuar në 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Ngjarja kryesore për të festuar Ditën Ndërkombëtare 2021 për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve do të jetë një tryezë e rrumbullakët e nivelit të lartë të formatit hibrid, organizuar nga Ossigeno per l’informazione dhe mbështetur nga UNESCO, më 3 nëntor 2021 në Sirakuza të Italisë.

Ngjarja do të ofrojë një platformë për dialog mes prokurorëve dhe gazetarëve mbi masat parandaluese dhe mbrojtëse për të adresuar sigurinë e gazetarëve dhe do të nxjerrë në pah rolin instrumental të shërbimeve të prokurorisë në hetimin dhe ndjekjen penale jo vetëm të vrasjeve, por edhe të kërcënimeve për dhunë ndaj gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore