Lajme

18% e kosovarëve nuk vizitojnë mjekun – shkak kushtet jo të mira ekonomike


Fotografi e shkrepur gjatë tryezës - "Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?"

Në nder të Ditës së Mbulimit Universal të Shërbimeve Shëndetësore – Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka organizuar një tryezë me temën “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?”, nga ku u bë e ditur se pothuajse çdo i pesti kosovar nuk merr shërbimet e nevojshme shëndetësore.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Kryeziu, ka theksuar se për një përqindje të madhe të popullsisë në Kosovë, janë pikërisht kushtet jo të mira financiare, arsyeja kryesore se pse ata nuk marrin shërbimet shëndetësore.

Fotografi e shkrepur gjatë tryezës – “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë?”

“1/3 e popullatës në Kosovë nuk merr shërbim shëndetësor, ndërsa 18 përqind e popullatës nuk kërkojnë fare shërbim shëndetësor për shkak të vështirësive financiare”, ka thënë Kryeziu.

Por, sigurimet shëndetësore publike pritet të jenë mes prioriteteve kryesore në Qeverinë aktuale, kështu të paktën ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, i cili premtoi që me anë të ligjit të ri do të do ndërhynë në ligje.

Arsim Berisha – Zëvendësministër i Shëndetësisë

“Sigurimet shëndetësore publike janë një nga prioritet kryesore të Qeverisë së Kosovës, ku ne do të ndërhyjmë në ligje sepse e do edhe koha që të jemi në nivel bashkëkohor që të fuqizohet kapaciteti administrativ njerëzor, infrastrukturor si kusht për fillimin e grumbullimit të kontributeve”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, koordinatorja për zhvillimin e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, ka thënë se kujdesi shëndetësor është i garantuar edhe me Kushtetutë dhe ky nuk duhet të cilësuar problem, duke iu referuar një  zgjidhjeje të shpejtë.

Ulrika Richardson – Koordinatore e OKB-së në Kosovë

“Shëndetësia – kujdesi shëndetësor është e drejtë në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet që të jetë problem për njerëzit”.

“Edhe nëse e shohim në mënyrë globale dimë se gjysma kanë pjesërisht qasje në shërbimet shëndetësore”, ka thënë Richardson.

Ndryshe, në mbarë botën me datën 12 dhjetor shënohet dita e Mbulimit Universal të Shërbimeve Shëndetësore.

Edhe në Kosovë për herë të gjashtë me radhë kjo ditë është shënuar me të njëjtën temë “Sigurimet Shëndetësore po fillojnë ?!”, ndërsa nga kjo shoqatë thuhet se qëllimi i shënimit kësaj dite është “që të sjellë në vëmendjen e vendimmarrësve se investimet në shëndetësi nuk janë kosto por shëndet”.

Nga diskutimet e zhvilluara është konkluduar se Kosova qëndron ende larg implementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore dhe mbulimit me shërbime shëndetësore.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore