Lajme

14 të lënduar nga aksidenti në Novobërdë


Policia e Kosovës.

14 persona kanë mbetur të lënduar nga aksidenti që ka ndodhur të martën në Novobërdë.

Përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, është thënë se aksidenti ka ndodhur mes një autobusi dhe një automjeti transportues.

“Si pasoj e aksidentit  14 persona kanë pësuar lëndime trupore. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i autobusit për arsye të panjohura ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit duke kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe është përplasur frontalisht me automjetin që po lëvizte në anën e kundërt”.

Nga policia është thënë se të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK.

Ndërsa, në konsultim me prokurorin rasti po procedohet në procedurë të rregullt.

Kurse tri vetura i janë djegur një personit në Komunën e Pejës, teksa të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati.

“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin tri veturave të tij. Njësitë e zjarrfikësve dhe njësitë policore kanë dalë në vendngjarje.

Ndërsa, është thënë se rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Kurse, në Badovc, është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ku nga policia janë sekuestruar disa gëzhoja.

“Në vendin e ngjarjes kanë hasur në të dyshuarin nga i cili kanë sekuestruar një pistoletë dhe një thikë. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 9 gëzhoja. I dyshuari gjatë intervistimit e ka pranuar se ka shtënë me armë për argëtim”, thuhet në raport.

Në konsultim me prokurorin rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Gjatë javës së kaluar për dy ditë radhazi kishte pasur të shtëna me armë.

Nga rasti i parë kishin mbetur të vdekur dy persona, njëra kishte qenë rastësisht pjesëmarrëse në trafik në momentin e të shtënave kurse tjetri kishte qenë i përfshirë në rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore