Shqipëria

14 majin Rama nuk e ndjen si betejë, “s’ka kundërshtarë”


“Në të gjitha fushatat kjo është një fushatë ndryshe, nuk e ndjej si një betejë si të tjerat me kundërshtarë konkret”.

Ka qenë ky përshkrimi që kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka bërë zgjedhjeve të 14 majit, duke shtuar se gjatë mandateve të marra nga Partia Socialiste në shumicën absolute të bashkive në vend, janë bërë punë konkrete dhe të mira.

E gjitha, duke përjashtuar bastionin e vetëm demokrat të mbetur i tillë, Shkodrën, ku ai thotë se “kazanët vijojnë të qëndrojnë të mbushur me plehra, për ditë të tëra”.

Ndër gjithë bashkitë sipas kreut të Qeverisë, më e vështira për t’u menaxhuar mbetet Tirana, duke marrë parasysh edhe rritjen e vazhdueshme të popullsisë këtu dhe nevojat për zgjerim infrastrukturor.

Një koment ai e pati edhe rreth emisionit të tij të ri në formatin e podcast-it, i cili jo pak herë është kritikuar prej aktorëve politikë, por sipas Ramës, kishte kohë që e mendonte.

“Kisha kohë që e mendoja, por fakti që kam marrë gjithë këtë hov zëri në vesh tregon se njerëzit kanë nevojë të jenë në hapësirën e jetës së tyre ku të mos jenë të imponuar nga imazhi, por të mund të shijojnë një bisedë që zakonisht është më e thellë se sa biseda që bëhet në televizor dhe mua vetë më ka tërhequr për dy arsye, e para se podcasti sjell më shumë njerzillëk në komunikimin e përditshëm publik dhe ne kemi shumë nevojë për njerzillëk në hapësirën e komunikimit mediatik. Alastair Campbell ka qenë shtysë”, tregon ai lidhur me të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore