Lajme

10 të vrarë në një market në Colorado


Marketi "King Soopers", ku mbetën të vrarë 10 persona në Colorado

Një person i armatosur ka vrarë 10 njerëz, përfshi një oficer policie, në një sulm ndaj një marketi në Colorado të SHBA-së.

Qyteza e Boulder u trondit pas kësaj masakre të vërtetë, në një ngjarje që është në vazhdën e disa sulmeve të armatosura në SHBA ditët e fundit.

Policia ka arrestuar një person të dyshuar për atentatin të ndodhur në marketin “King Soopers”.

Mediat sociale u mbushën me video të drejtpërdrejta që u transmetuan nga qytetarët që ishin brenda dyqanit. Në YouTube pati disa video direkte të cilat u ndoqën nga shumë njerëz.

Rreth 20 minuta pas fillimit të masakrës, policia hodhi një status në Twitter ku shkruhej se “ka të shtëna aktive në marketin “King Soopers”.

Paralajmërime u dhanë për qytetarët që mos t’i afroheshin vendngjarjes për shkak të rrezikshmërisë. Kjo gjithsesi, nuk i ndaloi banorët të shkonin të dëshmonin ndodhinë nga afër. Video nga jashtë dyqanit u postuan gjithashtu në media sociale.

Disa prej pamjeve janë të rënda pasi tregonin edhe viktimat e shtrira përtokë. Video shfaqin edhe autorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes me armën në dorë.

Më pas, policia e arrestoi duke e rrethuar dhe mos i lënë rrugëdalje. Atentatori kishte të veshur vetëm pantallona të shkurtra ndërkohë që kryente sulmin.

Autoritetet nga ana tjetër kanë kërkuar të qetësojnë qytetarët, duke i siguruar ata se janë të sigurt dhe të gjitha masat po merren ndaj autorit të vrasjeve masive.

Vetëm një javë më parë, një person në Atlanta vrau tetë persona, kryesisht gra aziatike. Ngjarja ndodhi në një qendër masazhesh. Revolta e komunitetit aziatik për sigurinë e tyre ishte e madhe.

Ndërkohë, për sulmin në Colorado, ende nuk dihet etnia e viktimave apo motivet që fshihen pas sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore