Shqipëria

Vetëdorëzohet ish-drejtori i legalizimeve Sarandë, pasi kishte ndërtuar hotel pa leje


Është vetëdorëzuar në Polici ish-drejtori i ALUIZN-it të Sarandës, Mariel Murati, i cili akuzohet se ka ndërtuar një hotel pa leje në zonën bregdetare.

Murati ishte në kërkim nga Policia, ku akuza zyrtare ka qenë ajo e ndërtimit pa leje dhe më pas legalizimit të hotelit 7-katësh, ndërtuar mbi portin e Sarandës.

Gjithashtu ky shtetas është shpallur dy herë në kërkim pasi para një muaji ndaj tij është bërë kallëzim penal për ngacmim seksual dhe kërkim favoresh seksuale në këmbim të vendit të punës.

Më 14 mars, Prokuroria e Sarandës ka kërkuar arrestimin e 11 zyrtarëve, të cilët akuzohen se lejuan ndërtimin e një objekti të lartë me shtatë kate, në vijën bregdetare të qytetit jugor.

Tetë persona nga 11 janë arrestuar deri tani, teksa tre të tjerë janë shpallur një kërkim.

Të 11 të pandehurit, pjesë e procedimit penal nr.37 të vitit 2024, janë nën hetim për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 186, 199/a/4 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas administrimit të provave në funksion të këtij procedimi penal, nga prokurori është urdhëruar ndalimi i 11 shtetasve me detyra dhe funksione te ndryshme shtetërore prej të cilëve është bërë i mundur ekzekutimi i ndalimit të 8 prej tyre të identifikuar si më poshtë:

E.S – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;

E.L – Specialist/inxhinier në Sektorin e Hartografisë pranë DVASHK Sarandë;

I. P – Specialiste në Drejtorinë vendore të Ashk Sarandë;

V.Q – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

T. S – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

O.D – Inspektor pranë IVMT, Bashkia Sarandë;

D.B – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë; dhe

M.S – Specialist/inspektor në Sektorin e Inspektimit të Territorit pranë Drejtorisë Rajonale IKMT Vlorë

Nga policia gjyqësore vijon kërkimi për ndalimin edhe të tre shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale edhe të personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme dhe shkelje ligjore në ushtrim të detyrave shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore