Lajme

Zyrtari i qeverisë gjermane për Albanian Post: Ploetner e Bonne do takohen me Kurtin, stabiliteti i Ballkanit jashtëzakonisht i rëndësishëm


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarët të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun, gjatë vizitës së tyre në Kosovë më 9 shtator do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Albanian Post, Sebastian Feldmeier, Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, i cili ka thënë se qëllimi kryesor i Kancelarit gjerman, Olaf Schloz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në këtë rast është siguria në Evropë, duke përshirë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Dhe mu për këtë arsye shpjegon, Feldmeier, për Albanian Post, dy liderët evropianë kanë caktuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme, Jens Ploetner dhe Emmanuel Bonne, të mbështesin, Miroslav Lajçak’un në përpjekjet e tij për të gjetur një zgjidhje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Si hap i parë”, tha zëdhënësi në Berlin, “të dy këshilltarët e politikës së jashtme të shoqëruar nga Lajcak do të vizitojnë Kosovën më 9 shtator për t’u takuar me kryeministrin Kurti dhe Serbinë për t’u takuar me Vuçiç’in – me qëllim të shqyrtimit të opsioneve për përparim në dialog”.

Qeveria e Kosovës mund ta ketë prioritet të gjashtë, apo të shtatë dialogun me Serbinë, por fuqitë evropiane kanë një renditje tjetër të prioriteteve për Ballkanin.

Për shkak të sigurisë në Evropë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë duhet të arrihet shpejt, thuhet, pos tjerash, në letrën që presidenti i Francës, Emmanuel Macron e Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ia kanë dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në kohën kur energjia elektrike po ndalet, grevat po vazhdojnë, të rinjtë po ikin dhe inflacioni po rritet, Kurtit përmes letrës i është kërkuar edhe një gjë: marrja e vendimeve të vështira.

“Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, konkretizon letra, duke theksuar urgjencën me të cilën duhet të merren këto vendime.

“Procesi të lëvizë përpara shpejt”, shkruhet në një vend dhe toni nuk ngjan veç sugjerues.

Se sa e rëndësishme është kjo zgjidhje e shpejtë, për t’i dhënë “problemit të kamotshëm” fund, siç precizon letra, tregohet edhe me lëvizjen konkrete të angazhimit të dy këshilltarëve kryesorë për politikë të jashtme të Macron e Scholz-it në këtë proces.

Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor në politiken e jashtme i presidentit francez, qysh nga viti 2019, dhe Jens Plotner, me pozitë të njëjtë pranë kancerlarit gjerman, që nga dhjetori i vitit 2021, do të udhëtojnë drejt Kosovës, bashkë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

“Propozimi ynë”, shkruajnë Macron e Scholz, “është, që Këshilltarët tanë të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajcak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”.

“Shpresojmë shumë që kjo iniciativë do të ketë interesin dhe përkrahjen tuaj”.

Ish-ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, kujton për Albanian Post se “Franca dhe Gjermania janë dy shtetet me influencën më të madhe në kuadër të BE-së”.

Prandaj, këto dy shtete themeluese të Bashkimit Evropian, “në vazhdimësi kanë përkrahur këtë proces (dialogun) duke nxitur palët që të arrijnë marrëveshje përfundimtare”, deklaron Çollaku.

Letra e ardhur nga Macron e Scholz, për Çollakun është e mirëseardhur, “sepse dëshmon se Franca dhe Gjermania ende nuk e kanë humbur interesimin e tyre për dialog dhe se mbesin të përkushtuara ndaj këtij procesi”.

Por, të përkushtuara do të duhej të ishin edhe vetë akterët kryesorë të dialogut – Kosova dhe Serbia.

Në adresimin e dy liderëve evropianë, thuhet se këshilltarët e tyre po i dërgojnë “që të gjejnë opsionet që procesi të lëvizë më shpejt”, por ato në Prishtinë aktualisht nuk gjenden dhe në Beograd jo se jo.

Serbia ka një president i cili nuk ka dëgjuar BE-në as për t’i vënë sanksione Rusisë, si gjithë pjesa tjetër e botës demokratike, derisa kryeministri i Kosovës është zënë peng nga e kaluara e tij, kur si opozitar propozonte që Kosova duhej të tërhiqej fare nga dialogu në Bruksel, meqë fillimisht Serbia duhet të plotësonte disa kushte që ai, atëherë, i rendiste në pesë lloje dhe e tashmja që kërkon kompromis në shpërputhje me premtimet e dikurshme.

Gjithsesi, kërkesa e jashtme për një zgjidhje përfundimtar ka kohë që nuk ka qenë kaq e theksuar. Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, nuk janë top-diplomatët e vetëm që po obligohen në kërkim të një gjetje finale për Kosovën e Serbinë.

Përveç aparaturës së madhe të BE-së me Lajçakun dhe Josep Borell-in në krye, angazhim të madh ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me përfaqësuesin special për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe caktimin e diplomatit veteran, Christopher Hill, si ambasador në Serbi.

Një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor, me detyra të veçanta për dialogun Kosovë – Serbi, e ka edhe Britania e Madhe.

Stuart Peach është marshalli që dikur në Kosovë kishte zbarkuar si komandant i forcave ajrore të NATO-s, e tash si diplomat po provon të ndihmojë me vizitat e shpeshta në Ballkan.

Ndërsa Gjermania, veç me këshilltarin e Scholz-it që po merr rrol të ri në dialog, ka gjithashtu një tjetër përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.

Manuel Sarrazin, ish-deputeti i të Gjelbërve gjermanë, është i angazhuar në këtë rol prejse Scholz mori detyrën e kancelarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore