Lajme

Zyrtari i KE-së: Kosova dhe Serbia janë akoma shumë larg deeskalimit në veri


Ilustrim

Kosova dhe Serbia janë shumë larg përmbushjes së hapave drejt uljes së tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) e miratimit të deklaratës për personat e pagjetur, tha të mërkurën një zyrtar i Komisionit Evropian.

Këtë e kanë treguar edhe bisedimet e fundit që i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nënvizoi zyrtari i KE-së, teksa shtoi se takimet e javës së kaluar nuk çuan në ndryshimin e atmosferën për vazhdimin e dialogut mes dy palëve.

“Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të përmbushin detyrimet e tyre nga dialogu dhe kërkon që të ketë ulje të tensioneve pa vonesa të mëtejshme, me pjesëmarrje konstruktive në të gjithë procesin dhe duke shprehur përmbajtje nga çdo lëvizje që do të shkaktonte rëndimin e mëtejshëm të situatës”.

Emisari Lajçak, sipas zyrtarit të KE-së, kërkoi nga shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – që të rimendojnë edhe njëherë rezultatet e këtyre takimeve dhe të japin një zotim për të shqyrtuar çështjet që janë në rend dite, ndërsa shtoi se bisedimet do të vazhdojnë ditëve në vijim.

“Duke qenë se qëndrimet e të dyja palëve janë ende shumë larg njëra-tjetrës dhe se çështjet e diskutuara kanë rëndësi të madhe politike për rrjedhën e dialogut, është logjike që ato të diskutohen edhe në takimet e nivelit të lartë me Presidentin [e Serbisë] Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin [e Kosovës] Albin Kurti”.

Diplomatët evropianë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Qeveria e Kosovës sërish në sherr me BE-në për zgjedhjet në veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore