Lajme

Qeveria e Kosovës sërish në sherr me BE-në për zgjedhjet në veri


Besnik Bislimi, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

Vetëm disa ditë pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, më 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, ku parashihej që për dy javë të bëhen hapa drejt qetësimit të situatës në pjesën veriore vendit, autoritetet kosovare dhe ato evropiane sërish kanë hasur në “mosmarrëveshje”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po e merr përsipër “koston e sherrit” duke kursyer shefin e tij, Albin Kurti, nga përplasjet e mëtejshme me BE-në, ndonëse vetë kishte arritur një ujdi me Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që brenda 14 ditësh të zbatohet plani për deeskalim.

Kosova aktualisht po përballet me “shkopinjë të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht.

Kryenegociatori i palës kosovare para dy ditësh deklaroi që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratislavë me të dërguarin e BE-së dhe tërheqjes së 25 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore të banuara me serbë etnikë.

Në transkriptin e ujdisë së arritur në takimin Bislimi-Lajçak, thuhet se Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – menjëherë pas përfundimit të stinës së verës.

“Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve”, thuhet në transkriptin e publikuar nga ekzekutivi, më 10 korrik.

Se po synohet të shmanget hapi i dytë – zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit – zëvendëskryeministri e qartësoi kur nënvizoi se nuk është fort i sigurt nëse ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve, ndonëse vetë presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e lejon mbajtjen e zgjedhjeve.

“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 përqind prej tyre që janë në listën e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm të ndjekim ligjin”, ka deklaruar presidentja Osmani, më 1 qershor të këtij viti nga Kishinau i Moldavisë.

Edhe kryeministri Kurti ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore do të bëhet përmes organizimit të peticioneve, por assesi duke kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë atje, ndërsa ka shtuar se është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në.

“Dorëheqja është një akt individual moral, pra nuk e thotë dikush në vend të dikujt tjetër. Kur e thotë dikush në vend të dikujt tjetër, mund të jetë shkarkim. Nuk do të ketë dorëheqje, por do të ketë zbatim të nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”.

Por, në një përgjigje për Albanian Post, ndonëse nuk e ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit Bislimi, një zëdhënës i BE-së ka përsëritur thirrjen për të gjitha palët që t’i implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor të këtij viti.

“Kjo qartë përfshin se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejtë që të jetë e mundur, të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri. Nga serbët e Kosovës pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, të mbajtura në muajin prill, sipas emisarit Lajçak, ishin “mina tokësore”, ku ka shkelur gabimisht bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët në terren kanë nxjerrë ndonjë mësim nga kjo përvojë e pakëndshme.

Diplomatët evropianë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore