Lajme

Zyrtarët afganë morën me vete miliona dollarë, kur ikën nga pushtimi i talebanëve


Dhjetëra miliona dollarë u zhdukën nga llogaritë bankare të Qeverisë afgane gjatë pushtimit të talebanëve në gusht.

Kjo, sipas një raporti të mbikëqyrësit të Qeverisë amerikane të publikuar më 6 qershor, i fundit në një seri raportesh që detajon rënien e Qeverisë afgane dhe ushtrisë së saj.

Vlerësimi nga Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit, ose SIGAR, shqyrtoi pretendimet se zyrtarët e qeverisë afgane morën me vete dhjetëra miliona dollarë, ndërsa iknin nga vendi.

Ish-presidenti afgan, Ashraf Ghani, u akuzua posaçërisht për ngarkimin e miliona dollarëve në helikopterët që ai dhe ndihmësit e tij të afërt përdorën për të ikur nga Kabuli, ndërsa luftëtarët talebanë hynë në qytet.

Pas marrjes së papritur ushtarake të Afganistanit nga talebanët, dolën raporte të mediave, sipas të cilave pretendohej se Ghani vodhi mbi 150 milionë dollarë në fondet e qeverisë kur u arratis, duke ushqyer zemërimin e publikut me ish-udhëheqësin për largimin nga Afganistani.

Largimi i Ghani-t shihet nga shumë njerëz si ngjarja vendimtare që lejoi forcat talebane të hynin në Kabul dhe të merrnin kontrollin e plotë të vendit.

SIGAR e konsideroi vjedhjen e milionave nga Ghani “të pamundur”, por tha se ish-presidenti u largua me disa para, megjithatë “provat tregojnë se ky numër nuk i kalonte 1 milion dollarët dhe mund të ketë qenë në vlerë më afër 500 mijë dollarëve”.

Raporti citon një ish-zyrtar të lartë, i cili iku me Ghani me helikopterë.

“Të gjithë kishin 5 mijë deri në 10 mijë dollarë në xhepat e tyre. Askush nuk kishte miliona”.

Emri i zyrtarit nuk u përmend në versionin publik të vlerësimit.

Ghani, gjithashtu, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për vjedhje.

Por, dhjetëra miliona mbeten të pagjetur.

Ish-presidenti afgan dhe shumë nga ndihmësit e tij të ngushtë tani jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, qeveria e të cilëve e mirëpriti atë dhe familjen e tij për arsye humanitare.

Raporti tha se hetimi i tij për pasuritë e vjedhura afgane është duke vazhduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore