Shqipëria

Zyrtare – Fredi Beleri kandidat për eurodeputet në partinë e Mitsotakis


Fredi Beleri është zyrtarisht kandidat për t’u zgjedhur eurodeputet, në listën e partisë Demokracia e Re, kryesuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Diçka, e cila ishte paralajmëruar edhe më herët se mund të ndodhte, por që tashmë është faktuar.

Beleri aktualisht ndodhet në burg, i dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për korrupsion aktiv në votime dhe është duke pritur vendimin e Apelit për çështjen e tij.

Teksa, Albanian Post, e kishte publikuar më parë se kandidimi i tij cilësohej në Greqi “një fakt i kryer”.

Kryeministrit grek pati marrë sugjerime të ngutshme për të përfshirë Belerin në mesin e kandidatëve, për të rikthyer pjesërisht imazhin e prishur të qeverisë, pas asaj që nga shtypi grek etiketohet si “një fiasko”, me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili qëndroi jashtë çështjes ligjore të Belerit dhe nuk ndërhyri për ta liruar atë, pavarësisht presionit grek.

Rama e ka bërë të qartë se drejtësia është e pavarur dhe ai nuk do të ndërhynte për asnjë arsye në botë në radhët e SPAK-ut për të favorizuar lirimin e Belerit, në mënyrë që të sheshoheshin çështjet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Pala greke ka vendosur prej kohësh një veto nga Tiranës në rrugëtimin e integrimit evropian, pasi negociatat janë aktualisht të bllokuara me veton greke.

Çështja e Belerit megjithatë, është kthyer në kauzë madhore për shtetin helen pas fitores që ai korri në zgjedhjet e Himarës.

Lajmin e ka dhënë vëllai i Belerit, Leonardi, ku më tej u publikua edhe lista me 42 emra nga Demokracia e Re.

Ndër ta, është edhe një shqiptar tjetër madje, Pirro Dhima, ish-peshëngritësi kampion me origjinë shqiptare, i cili ka garuar për Greqinë ndër vite, duke i dhuruar edhe një medalje olimpike.

Dhima është parë gjithnjë si një figurë kontradiktore në Shqipëri, për shkak se ai e ka mohuar lidhjen me tokën e tij, duke thënë në shumë intervista se është plotësisht grek dhe jo shqiptar.

Një reagim për kandidimin ndërkaq e ka bërë edhe Beleri vetë, nga burgu:

“Bashkëqytetarë,

Sot, kryeministri Kyriakos Mitsotakis më ofroi mundësinë për të konkurruar për votën e popullit grek në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024. E falënderoj për këtë, por mbi të gjitha e falënderoj për mbështetjen e palëkundur që më ka ofruar gjatë gjithë këtyre muajve, ndërsa unë kam qenë i burgosur.

Beteja që po bëj nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat e mbrojtura nga Perëndimi dhe Evropa, të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes më të madhe evropiane.

Është një betejë për pjesën më të përndjekur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek në Shqipëri. Vëllezërit e mi, të cilët pas dekadash shtypjeje, duan dhe meritojnë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre.

I bëj thirrje çdo gruaje dhe burri grek të mbështesë votën e Demokracisë së Re, të mbështesë kryeministrin që po ndërton me vendosmëri dhe metodikë një Greqi të fortë dhe krenare, Kyriakos Mitsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore