Lajme

Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti i plagosur një serb


Tomáš Szunyog

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila drejtohet nga Tomas Szunyog, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social “Twitter”, e ka dënuar incidentin në veri të Kosovës, ku si pasojë mbeti i plagosur një qytetar i komunitetit serb.

“BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në reagimin e lëshuar.

“Të gjitha institucionet përkatëse të sundimit të ligjit tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatën e Zyrës së BE-së.

Ngjarja në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një serb e ku të përfshirë janë edhe disa policë të Policisë së Kosovës, ka ngjallur edhe reagimin ambasadorin i Shteteve të Bashkuara të Ameriksë Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tregoi qëndrimin e SHBA-së.

Nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, ambsadori Hovenier ka shprehur shqetësimin për këtë incident dhe ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjes, ndërsa kritikoi edhe Policinë e Kosovës për “pakujdesi”.

“SHBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi Hovenier.

Ndërsa nga ana e Policisë së Kosovës thuhet se në këtë incident dyshohet se janë përfshirë katër zyrtarë policorë, ku i plagosur ka mbetur qytetari serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Zveçan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore