Lajme

Zogaj: Sjellja e pushtetit me Gjykatat, cenim i pavarësisë së gjyqësorit


Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, ka deklaruar se vendimet e pushteteve kanë cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit, sa i përket uljes së pagave, teksa ka kërkuar përmbajtje dhe moskomentim të vendimeve të gjykatave.

Zogaj, në “Ditët e Gjyqësorit”, nga KGjK-ja, ka komentuar raportin e Komisionit Evropian, duke thënë se gjyqësori është përballur me sfida.

“Vendimi për uljen e pagave ishte goditje serioze dhe me pasoja të rënda për gjyqësorin e Kosovës sepse përveç se është cenuar Kushtetuta e vendit e ligjet në fuqi, janë cenuar edhe standardet ndërkombëtare të shprehura mbi opinionet e këshillit të gjyqtarëve evropianë”, deklaroi ai.

“Sjellja e dy pushteteve në raport me gjyqësorin kur merren për bazë parimet e procedurës, nënkupton se kanë cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe dua të shfrytëzoj këtë konferencë t’u bëjë thirrje për përmbajtje mbi vendimet e Gjykatave”.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, konsideron se është bërë progres tha se përkundër sfidave e vështirësive kanë arritur që të përfundojë lëndët në kohë rekorde.

“Dua të theksoj se pavarësisht sfidave dhe vështirësive që është përballur sistemi i drejtësisë, kemi bërë progres në sistemin gjyqësor. Mbi të gjitha sfidat që variojnë edhe më tutje, mund të them se Supremja i ka kryer të gjitha detyrat e saja institucionale, duke i kryer lëndët në kohë rekorde dhe pritjet e vendimeve nuk janë më të largëta se sa tre muaj”.

“Me këtë unifikim konsiderojmë se do të rritet efikasiteti i gjykatave”.

Qeveria e Kosovës kishte shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt, për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore