Lajme

ZKA: Pacientët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore


Foto: Albanian Post.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare për Auditim thuhet se Fondi për Sigurime Shëndetësore së bashku me Bordin Ekzekutiv s’ishte efektiv në procesin e menaxhimit të subvencionimit të pacientëve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Kështu duke i trajtuar ata në mënyrë të pabarabartë.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit të publikuar nga ZKA-ja të martën e 29 gushtit.

“FSSH-ja përdori praktika të ndryshme në vlerësimin dhe trajtimin e lëndëve që nga aplikimi i kritereve të ndryshme për rastet e njëjta e deri te shuma e aprovuar për trajtim”.

“Aprovimi i lëndëve dhe pagesave është përcjellë me vonesa, obligimet financiare nuk ishin menaxhuar dhe raportuar në mënyrë të duhur si dhe Fondi nuk kishte bërë të gjitha barazimet financiare me institucionet shëndetësore në të cilat janë parapaguar shërbimet”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas rezultateve të auditimit, “pacientët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë” që nga procesi i aplikimit e deri te aprovimi i kërkesave.

Nga raporti, është theksuar se Bordi Ekzekutiv kishte aprovuar lëndë në mungesë të dy pro-faturave dhe nuk ishte konsistent në shumat që kishte ndarë për mbulim të trajtimit duke mos respektuar kriteret e Udhëzuesit Administrativ.

“Me aprovim të Bordit, Fondi pagoi 756,142 euro për raste diagnozat e të cilëve nuk janë paraparë në Udhëzues Administrativ. Mirëpo, disa raste u refuzuan pikërisht me arsyetimin se diagnozat nuk janë pjesë e Udhëzuesit”.

“Pavarësisht se Programi është i destinuar të financojë trajtimin e pacientëve me diagnoza, sëmundjet e të cilave nuk trajtohen në Institucionet Shëndetësore Publike të Kosovës, Komisionet Konziliare në reparte të caktuara kishin referuar kërkesa për shërbimet që ofrohen brenda këtyre institucioneve me arsyetimet për mungesë të materialit, kushteve teknike dhe resurseve njerëzore. Për këto raste shuma e referuar dhe aprovuar nga mostrat e testuar ishte 844,779 euro”.

Po ashtu, është thënë se fondi as nuk ka menaxhuar dhe as nuk ka raportuar në mënyrë të duhur obligimit.

Kjo pasi ka pasur vonesa në aprovim dhe pagesa, duke pasur edhe fatura që nuk janë paguar që nga 2018.

“Fondi nuk ka pasqyrë të saktë të kostove reale dhe mjeteve të lira të mundshme, barazimet janë bërë vetëm me spitalet në Kosovë dhe disa në rajon, por jo edhe me spitalet e tjera”.

“Nga 12 milionë euro të aprovuara për rastet e rregullta, komisioni kishte arritur të barazojë vetëm 2,1 milionë apo 16,4% si dhe kishte identifikuar mbi 408 mijë euro mjete të lira”.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, deklaroi se “trajtimi jo i barabartë i pacientëve, ndryshimet e paarsyetuara të kritereve dhe shumave të aprovuara për trajtim, vonesat në aprovim dhe pagesë, si dhe mos menaxhimi i duhur i obligimeve financiare”, rrezikojnë që programi të mos arrijë objektivat për të cilat është themeluar.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore “siguron grumbullimin efikas dhe transparent” të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore