Shqipëria

Zjarri në Urgjencën e QSUT-së, Prokuroria e Tiranës urdhëron riekspertim të shkaqeve


Prokuroria e Tiranës këtë të martë të 16 prillit ka urdhëruar riekspertim për të përcaktuar shkaqet e zjarrit në Urgjencën e Spitalit Universitar “Nënë Tereza”.

Kjo me qëllim specifikimin teknik të restaurimit janë parashikuar dhe si janë kryer punimet.

Sipas informacioneve paraprake janë pyetur një sërë teknikësh, të cilët kanë dhënë sqarime rreth shkaqeve që ata shikojnë të mundshme, kushteve të sigurisë apo cilësisë së pajisjeve apo mjeteve.

Prokuroria e kishte regjistruar një procedim penal për veprën “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, sa i takon një episodi zjarri në Urgjencën e QSUT-së më 11 shkurt.

Ky procedim nga ana e Prokurorisë është regjistruar më 29 shkurt, por nuk përfshin në hetim persona të dyshuar.

Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Me administrimin e akteve procedurale dhe akteve të ekspertimit do të nxirren përfundimet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.

Pas rënies së zjarrit, ishte drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico, e cila ka shpjeguar shkaqet e një zjarri të rënë në Urgjencën e re të institucionit spitalor, duke hedhur poshtë edhe çdo dyshim për standardet e sigurisë në njësinë e re.

Sipas Ficos, shkak për zjarrin, i cili më pas ka çuar edhe në evakuimin e pacientëve të shtruar aty, ka qenë një defekt në një dhomë teknike.

Pavarësisht kësaj, asnjë dëm material nuk është regjistruar aty dhe asnjë person nuk është lënduar pas kësaj ngjarjeje.

Fico ka shpjeguar po ashtu se ka gjithnjë një plan emergjence për këtë godinë dhe se ai plan është testuar me sukses këtë herë, duke evakuuar të gjithë të shtruarit.

Shkëndija në dhomën teknike ndërkaq ka lënë pas dëme shumë minimale, falë edhe gatishmërisë së grupit teknik, i cili ka marrë nën kontroll çdo element.

E pyetur ndërkaq nëse dhoma e imazherisë ka qenë e prekur apo jo nga ky zjarr, ajo e ka mohuar kategorikisht dhe e ka përsëritur se dëmet janë të limituara në dhomën teknike.

“Spitali qendror trajton rastet më të rënda. Shërbimet kanë marrë masa përfshirë edhe reanimacionin. Pacientët i kemi lëvizur brenda QSUT-së. Në kuadër të emergjencave, QSUT ka planin e emergjencës, mbase nuk deshëm ta testonim sot, por u testua me sukses”, ka përmbyllur Fico.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore