Lajme

“Zgjidhja” që kanë gjetur serbët në Veri – i largojnë targat “KM”, por i regjistrojnë veturat në Rashkë


Targat

Nga 1 shtatori, nëse asgjë nuk ndryshon, të gjithë serbët në Veri që kanë targa “KM” do të duhej të kalonin në targa RKS.

Por, një pjesë e madhe e tyre e ka gjetur një zgjidhje alternative, se si ti largojnë targat KM, por të mos i vendosin as ato RKS fare.

Një taksist nga Mitrovica Veriore, duke folur për Deutsche Welle thotë se nuk e mendon të marrë targa “RKS”, pasi “nga java e ardhshme do ta kaloj veturën në regjistrin e Rashkës”.

Nëse nuk arrihet kompromisi në Bruksel, shumica e qytetarëve në veri me gjasë do të bojkotojnë periudhën dymujore në të cilën Qeveria e Kosovës do të lejojë riregjistrimin e targave.

Kjo do të thotë se situata mund të jetë edhe më e tensionuar nga 1 nëntori, kur sipas synimit të Qeverisë së Kosovë skadon afati për regjistrime të reja.

“Frika dhe tensioni nuk kanë të ndalur që nga viti 1999. Tani mendimet janë të ndara, ka nga ata që besojnë se do të ketë traktorë dhe stuhi, ndërsa të tjerë mendojnë se do të ketë një eksod të heshtur të serbëve në vitet në vijim”, thotë një qytetar në Veri për DW.

Ai vetë nuk beson se “komuniteti ndërkombëtar do të lejojë përshkallëzimin dhe konfliktin e armatosur që përmendet shpesh në media dhe mes qytetarëve”.

Një kërcënim i vjetër

Prezenca e shtuar e KFOR-it në veri e zvogëlon mundësinë e riorganizimit të barrikadave. Megjithatë, pasi që në vitin 2011 barrikadat dhe konfrontimet zgjatën nga korriku deri në tetor, skenari nuk mund të përjashtohet plotësisht.

Skenari i dytë është ai që Lista Serbe ka paralajmëruar disa herë – braktisjen e institucioneve të Kosovës, si nga politikanët, ashtu edhe nga të gjithë nëpunësit publikë në polici dhe gjyqësor.

Siç tha të dielën presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ata mund ta bëjnë këtë deri në fund të shtatorit.

Përveç anulimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit, të gjitha pasojat e një lëvizjeje të tillë janë të vështira për t’u parë.

Largimi nga institucionet është edhe sfidë logjistike, sepse tani mbi një mijë persona marrin të ardhura nga buxheti i Kosovës, kujton Aleksandar Baraç nga Leposaviqi, për DW.

Ai konsideron se kërcënimi për largim nga institucionet është një mënyrë për të bërë presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë, është e sigurt se Lista Serbe do të kishte mbështetjen e plotë të komunitetit lokal nëse do të largohej nga institucionet, shkruan DW.

“Pas gjashtë vitesh jam jashtëzakonisht i lumtur sepse kam bartur barrën e të qenit kryetar i institucioneve të Kosovës. Jam shumë i gëzuar për këtë”, kishte thënë për RTS-në në vitin 2018 ish-kryetari i komunës Zubin Potok pasi bashkë me kolegët e tij nga tri komunat e mbetura në veri dhanë dorëheqje nga ajo pozitë.

Deklarata më pas u pa si një dëshmi e rrallë e sinqertë nga liderët e Listës Serbe se çfarë mendojnë për angazhimin e tyre politik brenda institucioneve të Kosovës.

Targat ilegale GL

Çka janë targat KM?

Targat me mbishkrimin “KM” (Kosovska Mitrovica) janë targa që Kosova deri i konsidero ilegale për arsye se Serbia i lëshon ato duke pretenduar Mitrovicën si pjesë territoriale të saj.

Targat “KM” prodhohen dhe lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sistemi i targave në Serbi është bazuar në qytetet dhe meqë ata e konsiderojnë Mitrovicën dhe në përgjithësi Kosovën, pjesë administrative të tyren, atëherë vazhdojnë të lëshojnë tabela me “KM”.

Ka dy lloje të këtyre tabelave – ato të vjetrat, që jepeshin para vitit 1999, por edhe me sistemin e ri të tabelave në Serbi, janë prodhuar përsëri targa me iniciale të qyteteve të Kosovës.

Në Kosovë, përkundër se shiheshin vetura në qarkullim me këso lloj targash, ato nga institucionet zyrtare janë konsideruar gjithmonë ilegale.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si “PR” (Prishtinë), “GL” (Gjilan) “KM” (Mitrovicë), etj., duhej të hiqeshin. Do të thotë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral (KS- Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore