Lajme

Zgjedhjet në Veri, pretendimi i Petkoviç-it: Votuan 1566 shqiptarë dhe vetëm 13 serbë


Petar Petkoviç

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se në zgjedhjet për katër komunat në Veri të Kosovës kanë marrë pjesë, sipas tij “1 mijë e 566 shqiptarë dhe vetëm 13 persona të nacionalitetit serb”, nga 45 mijë e 95 persona me të drejtë vote në këtë pjesë të Kosovës.

Siç pretendon ai, i bie që “vetëm 3.47 përqind” e qytetarëve kanë marrë pjesë.

“Kur e kombinojmë atë me zgjedhjet e vitit 2021, shihet se për Listën Serbe kanë votuar më shumë se 10.833 votues dhe në atë kohë kanë qenë 1.056 vota shqiptare. Tani në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 832 persona të nacionalitetit shqiptar”, tha ai.

Ndryshe, janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat në Veri të Kosovës, përkatësisht në Komunën e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Putokut.

Procesi i votimit ka filluar nga ora 7:00, dhe ka përfunduar në ora 19:00.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore,  6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok si dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

Të dhënat e sakta të pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces zgjedhor ende nuk janë bërë publike nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës. Mirëpo, pritet që pas pak që në një konferencë për media të bëhet e ditur nga KQZ pjesëmarrja e saktë e qytetarëve.

Mbyllen qendrat e votimit në Veri – pjesëmarrje e ulët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore