Lajme

Zgjedhjet në Serbi – Grupi i PE-së qorton SNS-në: Vjedhja e votave s’lejohet në demokraci


Andreas Schieder

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamanetin Evropian (PE), ka bërë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara.

Andreas Schieder, eurodeputeti austriak dhe anëtari i misionit vëzhgues të PE-së, ka denoncuar parregullsitë gjatë procesit të votimit, posaçërish mbi votuesit ilegalë të ardhur në mënyrë të organizuar nga pjesë të ndryshme të rajonit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore të Serbisë të mbajtura të dielën e 17 dhjetorit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për presionin e raportuar ndaj votuesve, gjuhën e urrejtjes në fushatë, ngacmimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile në Serbi, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe ndërhyrjet e manipulimet e mundshme malinje ruse ose të huaja”, ka thënë Schieder, duke shtuar se vjedhja e votave nuk lejohet në demokraci.

Schieder ka ngritur posaçërisht shqetësimin për manipulimin dhe vjedhen e votave në kryeqytetin serb. Dyshimeve për vjedhjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) u kanë bërë jehonë  edhe partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”. Ata kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, përfshirë ryshfet dhe korrupsion.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për pretendimet për mashtrim në Beograd, i cili mund të ketë vjedhur një fitore nga opozita. Ne ishim të lumtur që pamë një opozitë të bashkuar dhe të fortë në fushatën zgjedhore dhe besojmë në luftën e tyre të vazhdueshme për demokraci në Serbi pas zgjedhjeve”, ka theksuar ndër të tjera eurodeputeti austriak.

E besimi i qytetarëve serbë ndaj listës së partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, vetëm konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore