Lajme

Zgjedhjet në RMV, Osmani: Qytetarët kanë dy opsione – integrim apo izolim


Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pasi ka votuar i ka inkurajuar qytetarët që dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

“Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani para gazetarëve.

Osmani ka theksuar se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, por janë vendimtare për të ardhmen e vendit për shkak se shteti është në udhëkryq.

“Dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për integrim apo izolim”, u shpreh më tej kandidati për president”, shtoi.

Ndërkaq kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka theksuar se rëndësia e kësaj dite është e veçantë që në bazë kushtetuese mundësohet që çdo qytetar të shprehë vullnetin dhe të zgjedhë një nga shtatë kandidatët.

“Pjesëmarrësit në zgjedhje kanë pasur mundësi të shpalosin vizionin e tyre. Duke pasur parasysh situatën rëndësia e këtyre zgjedhjeve është përcaktimi i orientimit pro evropian të vendit”, potencoi ai.

Në garën presidenciale, përveç presidentit aktual, Stevo Pendarovski, i cili u propozua nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane” që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), janë edhe dy shqiptarë.

Nga koalicioni “Fronti Evropian” nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garon Bujar Osmani, ministri aktual i Punëve të Jashtme të RMV-së.

E koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN” në përbërje prej Lëvizjes Besa, Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, udhëhiqet nga Arben Taravari, kryetari aktual i komunës së Gostivarit dhe kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fakt shkaktoi një valë të polemikave dhe përplasjeve ndër-shqiptare në Prishtinë e Shkup.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët më të votuar, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave.

E rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare.

Për këtë arsye, zgjedhjet presidenciale vlerësohen të jenë shumë të rëndësishme për shkak se priten ta përcaktojnë disponimin e qytetarëve edhe në zgjedhjet qendrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore