Lajme

Zgjedhje të rëndësishme rajonale në Gjermani


Të dielën e 6 qershorit, në Gjermani do mbahen zgjedhje rajonale në Saksoninë-Anhalt. Nga këto votime mund të jepen sinjale të rëndësishme për udhëheqjen e Armin Laschet, pasardhësit të Angela Merkel në krye të CDU-së. Kjo, në funksion të zgjedhjeve politike më 26 shtator.

Në zgjedhjet e fundit në 2016 në këtë rajon lindor, partia e së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) mori 24 përqind të votave. Ajo u bë partia e dytë më e madhe në rajon pas CDU-së dhe arriti një rezultat që asnjë parti e krahut të djathtë nuk ia kishte dalë dot deri në ato momente.

Saksonia-Anhalt është landi gjerman me të ardhurat më të ulëta për frymë, në të gjithë Gjermaninë. Ajo ka moshën mesatare më të vjetër të popullsisë (47.9 vjet). Ndodhet midis Berlin-it dhe Hanover-it. Ka një popullsi prej 2.2 milionë banorësh dhe një ekonomi të bazuar kryesisht në bujqësi.

Përtej kontekstit lokal të zgjedhjeve, është akoma e rëndësishme që CDU-ja të ruajë pozicionin e saj si partia e parë në land.

Veçanërisht për Laschet. i cili u paraqit si një kandidat i vazhdimësisë së Merkel-it, i pozicioneve të qendrës. Për këtë arsye ai nuk duket se vlerësohet në Gjermaninë Lindore, që janë më të orientuar drejt së djathtës.

Reiner Haseloff, një anëtar i CDU-së dhe president i Saksonisë-Anhalt, mbështeti një kandidat tjetër dhe jo Laschet.

Saksonia-Anhalt qeveriset aktualisht nga një koalicion midis CDU-së, SPD-së dhe të Gjelbrit. Gjatë fushatës elektorale Laschet u përpoq të merrte më shumë vota për partinë e tij duke përdorur përgënjeshtrimin e një fitoreje të AfD-së.

“Kushdo që dëshiron të sigurohet se kemi struktura të qarta demokratike në Saksoninë-Anhalt duhet të votojë për Reiner Haseloff në mënyrë që CDU-ja të jetë partia më e fortë dhe AfD-ja në vendin e saj, pra në opozitë”, tha Laschet të martën në radio Deutschlandfunk.

Sipas një sondazhi të nxjerrë të enjten, CDU-ja do të ketë 30 përqind të mbështetjes në rajon, AfD-ja 23 përqind.

Marrë dhe Përshtatur nga Il Post për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore