Shqipëria

Zgjedhja e duhur për Shkodrën ndryshe


Në zgjedhjet e pjesshme, që do të mbahen më 6 mars 2022, shohim një betejë ndryshe për Bashkinë e Shkodrës.

Kandidatja e bastionit të Partisë Socialiste (PS), Majlinda Angoni, do të ketë përballë dy emrat e propozuar nga radhët e Partisë Demokratike (PD), Xhemal Bushati, dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia.

Ky i fundit vjen si kandidaturë e propozuar nga Komisioni i Rithemelimit – nuk mundi të zyrtarizohej në zgjedhje si palë e vetme dhe u fut nën “ombrellën” e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, mes Lëvizjes Socialiste Për Integrim (LSI) dhe Partisë Demokristiane (PDK).

Bashkia e Shkodrës, një ndër bastionet kryesore të PD-së, po bëhet dëshmitare e një “lufte” mes bindjesh, por edhe e një “lufte” më të madhe, asaj të brenda llojit.

Xhemal Bushati/PD

Emri i Xhemal Bushatit nuk është i panjohur për qytetarët shkodranë.

Në fakt, ai është pinjoll i një ndër familjeve më me emër në kryeqendrën e veriut, asaj të Bushatllinjve.

Bushati do t’i hidhte hapat e tij të parë të karrierës politike si anëtar i Partisë Demokratike, në vitin 1996.

Po në këtë vit, si një i diplomuar në degën Ekonomik në Universitetin e Tiranës, ai do të niste dhe karrierën e tij si sipërmarrës në vendlindje.

Në vitet 2007-2019, emri i tij do të përmendej si anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër.

Për 4 vite (2015-2019), po në këtë këshill do të mbante postin e kryetarit.

Bushati njihet si kontribuues i vazhdueshëm në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

I konfirmuar si kandidat për postin e kryebashkiakut në qytetin e Shkodrës nga kryesia e PD-së, pas propozimit unanim të tij nga strukturat e kësaj bashkie, Xhemal Bushati ka premtuar që, pas ardhjes së tij në pushtet, “dyert e Bashkisë do të jenë të hapura për qytetarët e Shkodrës”.

“Ne jemi Partia Demokratike e Shkodrës dhe të gjithë bashkë do ta fitojmë Bashkinë e Shkodrës”.

Këto ishin fjalët e Bushatit drejtuar demokratëve të këtij qyteti.

Slogani, të cilin Bushati ka përzgjedhur për të përfaqësuar kandidaturën e tij, është “Me dashni për Shkodrën, me përkushtim për ju”.

Bardh Spahia/ Koalicioni “Shtëpia e Lirisë”

Përballë Bushatit, nga e njëjta linjë politike, do të jetë kirurgu i njohur për shkodranët, Bardh Spahia.

Përveç profesionit të tij si mjek, ai ka një karrierë të gjatë në politikë.

Spahia ka qenë aktiv në politikë që në moshë të re, si një nga organizatorët e protestave kundër regjimit komunist dhe mbështetës për të drejtat dhe kushtet e jetesës së studentëve.

Në vitin 2005, Spahia do të kthehej në Shqipëri për të shërbyer si drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe, më pas, si zëvendësministër i Shëndetësisë.

Gjithashtu, ai ka shërbyer dhe si sekretar i Përgjithshëm i institucionit të presidentit.

Ai u përfshi personalisht në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve shëndetësore me homologët evropianë dhe organizatat ndërkombëtare shëndetësore.

Ish-zëvendësministri është i vetmi anëtar shqiptar i Shoqatës Esperia, organizatë e themeluar në Bruksel në vitin 2020 nga disa anëtarë të shquar të Partisë Popullore Evropiane.

Emri i Bardh Spahisë u propozua nga Komisioni i Rithemelimit, i ngritur nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhe u votua nga anëtarët e degës Shkodër.

Vlen të theksohet se fitoi bindshëm kundrejt kandidatëve të tjerë me 1 mijë e 11 vota në total.

Po ashtu, në zgjedhjet elektorale të 25 prillit 2021, Spahia ishte deputeti më i votuar në Qarkun e Shkodrës, pavarësisht se nuk mundi të thyente herësin.

Megjithatë, ai “shpreson” të korrë sukses për postin e kryebashkiakut të Shkodrës.

Nën stendën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Spahia përfaqësohet nga slogani: “Shpresë, ndryshim, fitore”.

Majlinda Angoni/PS

Sfidën “më të rëndësishme të jetës” e ka cilësuar Majlinda Angoni kandidaturën e propozuar nga Partia Socialiste për postin e kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Më herët, ajo ka mbajtur rolin e prefektes së Qarkut të Shkodrës.

Punën e saj për qytetin e Shkodrës e përshkruan me një fjalë… “përkushtim”.

Përkushtim, thotë ajo, “për të dhënë kontributin tim për qytetin dhe për të dëgjuar çdo banor të kësaj bashkie”.

Ndonëse nuk ka pasur eksperienca të tjera politike, nuk do të thotë që ish-prefektja ka qëndruar larg problematikave sociale të vendit.

Angoni ka një kontribut 30-vjeçar në luftën kundër dhunës së gruas.

Ajo ka qenë mjaft e përqendruar kryesisht në të drejtat e grave dhe vajzave.

Madje, në vendlindje, Shkodër, ka themeluar organizatën “Gruaja tek Gruaja”, e cila kontribuon në reduktimin e dhunës në familje dhe rritjen e mirëqenies së femrave.

Po ashtu, është themeluese e dy qendrave të këshillimit për gratë, në Pejë dhe në Prizren.

Kontributin e saj për qytetin e Shkodrës, Angoni e ka treguar edhe në fushën e biznesit.

Së bashku me të shoqin e saj kanë ngritur një biznes, ku prodhojnë dhe eksportojnë maska veneciane.

Ky subjekt, përveçse punëson qytetarët, përçon edhe historinë e veçantë të marrëdhënieve të Shkodrës me kulturën venedikase kudo që këto maska shiten.

Gjithashtu, Angoni është ndalur edhe te mirëqenia e qytetarëve të Shkodrës.

Ajo ka ravijëzuar se do të krijojë “një ambient edhe më të sigurt, më të shëndetshëm, më të pastër”.

Ndonëse kandidon kundër dy figurave të Partisë Demokratike, në një territor i cili pothuajse në çdo rast ka qenë i ngjyrosur blu, kandidatja socialiste në fjalën e saj drejtuar shkodranëve, u siguron se një ndër qëllimet e saj është çuarja përpara e projekteve që do të rrisin nivelin e shërbimeve.

Slogani i saj për qytetarët e Shkodrës është, “shkodranët nuk kanë kohë për të humbur!”

Fituesi i këtyre zgjedhjeve të pjesshme, pritet ta mbajë postin e kryetarit të Bashkisë Shkodër 15 muaj.

Ndonëse një kohë e shkurtër, këto muaj janë të rëndësishëm që qytetarët shkodranë “të kuptojnë se cili apo cila do të jetë alternativa më e mirë për Shkodrën, në zgjedhjet lokale të vitit 2023”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore