Lajme

Zgjatet burgimi për Andrew Tate


Andrew Tate, ish-kickboksieri, influencer-i dhe mizogjinisti i deklaruar duhet të qëndrojë në paraburgim ndërkohë që hetimet vazhdojnë, deri më 27 shkurt.

Është ky vendimi i fundit i marrë nga gjykata rumune, lidhur me personazhin e njohur dhe vëllain e tij, Tristan, të cilët akuzohen për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një grupi krimi të organizuar për të shfrytëzuar gratë.

Të dy ata e kanë mohuar keqbërjen.

Arsyeja e shtimit të periudhës së burgimit me një muaj tjetër ende nuk është bërë e ditur, por do të reflektohet më pas në një komunikatë për shtyp nga vetë Gjykata.

Të pandehurit po apelonin kundër sekuestrimit të sendeve dhe zgjatjes së urdhrave të tyre të arrestit, por gjykata e apelit të Bukureshtit të martën urdhëroi që të katër të mbaheshin në paraburgim për 30 ditët e plota për të cilat ata u ndaluan.

Në Rumani deri më tani janë sekuestruar 15 makina luksoze dhe më shumë se 10 prona apo parcela toke.

Agjencia e krimit të organizuar e vendit, Diicot, tha se sendet u konfiskuan për të parandaluar fshehjen e tyre, për të ndihmuar në pagesën e hetimit dhe për të paguar dëmet për viktimat nëse të dyshuarit dënohen.

Agjencia dhe prokurorët në kryeqytetin rumun pretendojnë se dy vëllezërit rekrutuan viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se donin një marrëdhënie romantike – e ashtuquajtura metoda “loverboy” e trafikimit të njerëzve.

Viktimat më pas dyshohet se u dërguan në prona në periferi të Bukureshtit ku u detyruan “përmes dhunës fizike, frikësimit mendor dhe detyrimit” të prodhonin përmbajtje pornografike për faqet e mediave sociale, duke gjeneruar fitime të mëdha.

Prokurorët kanë thënë se hetimi, i nisur pasi një nga vëllezërit dyshohet se përdhunoi një nga gratë e trafikuara marsin e kaluar, deri më tani ka identifikuar gjashtë viktima.

Diicot publikoi një video që tregon armë, thika dhe para në skenën e arrestimit të vëllezërve Tate.

Një gjykatës që javën e kaluar zgjati paraburgimin e tyre parandalues nga 24 orë në 30 ditë, tha se duke pasur parasysh “kapacitetin e tyre financiar”, mundësia që vëllezërit mund t’i shmangen hetimit, të largohen nga Rumania dhe të vendosen në vende që nuk lejojnë ekstradimin … nuk mund të injorohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore