Lajme

Zelensky për deklaratat e Berlusconi-t: Mund t’i dërgojmë vodka


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu përgjigj me shaka deklaratave të kreut të partisë “Forza Italia”, Silvio Berlusconi dhe tha se kryeministrja Giorgia Meloni do të jetë në gjendje të ruajë unitetin e qeverisë së saj.

Ai këtë e ka thënë në një intervistë për botimin italian Corriere Della Sera.

“Kam dëgjuar deklaratat e Berlusconi-t. Nuk e njoh personalisht. Por ndoshta duhet t’i dërgojmë diçka. A i pëlqen vodka? Ne kemi cilësi shumë të mirë në Ukrainë, nëse ai dëshiron që t’ia dërgojmë”, tha Zelenskyy.

Presidenti nuk përmendi vetëm vodkën. Pasi qeveria e Giorgia Meloni-t erdhi në pushtet në Itali, doli një regjistrim audio i Berlusconi-t që thoshte se “Putini më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër shumë të bukur. Unë u përgjigja me shishe Lambrusco dhe një letër po aq të bukur”.

Zelensky theksoi se është shumë e rëndësishme që Ukraina të mos humbasë mbështetjen e Italisë dhe vendeve të tjera, e cila u mor me përpjekje të mëdha pavarësisht fushatës intensive të dezinformimit të Kremlinit.

“Unë besoj se një pjesë e dobësisë sonë lidhet me punën e propagandës ruse. Prandaj unë personalisht, që në ditën e parë të pushtimit, krijova një sistem komunikimi të vazhdueshëm për të dhënë versionin e vërtetë të fakteve. Që nga momenti i pushtimi rus i Krimesë dhe Donbasit, shohim se ardhja e tankeve paraprihet nga fushata për përhapjen e lajmeve të rreme.Ne besojmë se mbështetja e Italisë është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera dhe kjo vlen edhe për unitetin e Evropës, ku Italia luan një rol udhëheqës në sferën ekonomike, sociale dhe politike”.

Sipas raportimeve të mediave, Meloni do të vizitojë Kievin më 21 shkurt.

Siç është raportuar, Berlusconi, duke komentuar takimin e kryeministres italiane me Zelensky-in në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel, tha se po të ishte ende kryeministër, nuk do të ishte takuar me Zelensky-in.

Ai deklaroi se nëse Zelensky do të kishte ndaluar “sulmin” e dy rajoneve në lindje të Ukrainës në Donbas, sulmi rus ndaj Ukrainës nuk do të kishte ndodhur fare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore