Lajme

Zelensky i bëri thirrje samitit në Pragë që të zbatojë “formulën e tij të paqes”


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për zbatimin e “formulës së paqes” të propozuar prej tij për Ukrainën.

Kjo, gjatë fjalimit të tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Pragë,

Lajmi u bë i ditur nga agjencia ukrainase “E Vërteta Evropiane”.

Zalensky vuri në dukje se ai paraqiti pikat kryesore të “formulës së tij të paqes” në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe i citoi ato në një fjalim drejtuar liderëve evropianë.

“E para është ndëshkimi i agresorit. Forcimi i sanksioneve kundër Rusisë, ndalimi i çdo bashkëpunimi me Federatën Ruse dhe kompanitë e saj. Përjashtojini atë nga të gjitha organizatat ndërkombëtare ose të paktën pezulloni anëtarësimin në radhë të parë në OKB”, tha kreu i shtetit ukrainas.

Sipas tij, për të ndëshkuar Rusinë nevojitet një gjykatë speciale për “krimin e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, si dhe një mekanizëm ndërkombëtar kompensimi që do ta detyrojë Rusinë të kompensojë dëmet e shkaktuara prej tyre”.

Pika e dytë është ndihma për Ukrainën.

“Duke na ndihmuar, secili nga shtetet tuaja ndihmon veten e tij”, shtoi Zelensky.

Pika e tretë, sipas tij, është rivendosja e sigurisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Pika e katërt janë garancitë e sigurisë. Ne kemi nevojë për garanci sigurie para se të hyjmë në NATO. Ne jemi në këtë rrugë dhe do ta bëjmë, së bashku me ju. Propozimet tona për garancitë e sigurisë u paraqiten partnerëve”, vijoi ai.

Ndërsa, pika e pestë është vendosmëria.

Zelensky kujtoi se në 225 ditë lufte në shkallë të gjerë, të gjithë kemi treguar tashmë se Evropa mund të ndikojë në çështjet e luftës dhe paqes.

“Por tani, të gjithë së bashku, duhet të sigurojmë që formula e luftës të bllokohet plotësisht dhe formula e paqes të zbatohet plotësisht”, ravijëzoi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se “do të vijë një ditë kur e keqja ruse do të humbasë dhe do të jetë dita kur formula jonë e paqes do të fitojë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore