Kosova

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane: Defender 23 merr në konsideratë edhe situatën në Veri


Zëdhënësi i Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, kolonel Martin O’Donnell.

Sipas zëdhënësit të Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, kolonel Martin O’Donnell, stërvitja ushtarake ‘Defender Europe 23’ merr në konsideratë edhe situatën në Veri të Kosovës.

Ai në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së ka përfunduar pjesën e stërvitjes Defender 2023 më herët sesa që ishte planifikur.

“Ushtria amerikane në Evropë dhe Afrikë bën përditë stërvitje në këto dy kontinente. Në këtë mënyrë, ne i marrim në konsideratë situatat në afro 100 vende, përfshirë edhe Kosovën”, ka thënë ai.

O’Donnell, tutje ka treguar edhe për mundësinë e rikthimit të Kosovës në këtë stërvitje, duke thënë se është aspekt pozitiv që Kosova, ka pasur trupa të përgatitur që ushtrojnë aftësi ushtarake së bashku me vendet e tjera.

“Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me DEFENDER 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj. Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes DEFENDER 23 më herët nga sa ishte planifikuar”.

“Pavarësisht përfundimit të hershëm, stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake”.

Ndërsa, për rëndësinë strategjike që ka Defender Europe, ka deklaruar se përmes kësaj mënyre tregohet aftësia e ushtrisë amerikane për të vendosur “trupa dhe pajisje të besueshme luftarake” .

“Stërvitja tregon përkushtimin e kombeve evropiane për të rritur nivelin e aftësive dhe ndërveprueshmërisë mes ushtrive të tyre”.

“Sikurse thashë më parë, DEFENDER 23 demonstron aftësinë e ushtrisë amerikane për të vendosur trupa dhe pajisje të besueshme luftarake me shpejtësi, siguruar aleatët, penguar ata që do të kërcënojnë paqen e Evropës dhe mbrojtur kontinentin nga agresioni”.

Kosovës iu anulua pjesëmarrja në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës,

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Gjatë kësaj periudhe nga Serbia janë arrestuar tre policë të Kosovës ata pretendojnë se të njëjtit kanë qenë në territorin e tyre, ndërsa nga institucionet e Kosovës është thënë se policët kanë qenë brenda zonës së Kosovës.

Pas këtij veprimi Kosova ka ndaluar hyrjen e produkteve të Serbisë në Kosovë.

Edhe bllokimi i qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore