Shqipëria

Zbulohet baza për falsifikim dokumentesh, 3 të arrestuar në Tiranë


Policia ka bërë me dije se ka zbuluar një subjekt (firmë) në Yzberisht, ku falsifikoheshin dokumente.

Gjithashtu, në këtë subjekt kishte mallra të kontrabanduara dhe punonjës të pasiguruar.

Janë arrestuar në flagrancë 2 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale dhe 1 shtetas që u kap duke marrë një certifikatë pronësie false.

Sekuestrohen 37 vula të falsifikuara të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, dokumente të paplotësuara (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) dhe 210 shishe me verë të kontrabanduar.

Si rezultat i hetimeve të thelluara, për goditjen e një rasti të falsifikimit të dokumenteve, në një subjekt privat (firmë), në Yzberisht, ku kryheshin dhe krime të tjera ekonomiko-financiare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Vula”.

Në ambientet e subjektit privat u gjetën 210 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe u konstatua se ishin punësuar shtetas, pa u siguruar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore