Lajme

Zbulohet arsyeja e mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore në Moldavi


Arsyeja e mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore të Moldavisë ishte një avion i panjohur i ngjashëm me një sondë moti.

Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Moldavisë (AAC).

“Rreth orës 12:30 Ministria e Mbrojtjes ka marrë informacion se në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë në zonën e Sorok-ut është zbuluar një objekt i vogël i paidentifikuar i ngjashëm me një balonë meteorologjike. Nisur nga kushtet atmosferike dhe pamundësia e monitorimit dhe duke identifikuar objektin dhe rrugën e tij të fluturimit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve, në orën 13:24, komisioni ndërinstitucional i shfrytëzimit të hapësirës ajrore vendosi mbylljen e përkohshme të hapësirës ajrore”, thuhet në mesazh.

Pas kontrollit të informacionit dhe për të mos rrezikuar sigurinë e qytetarëve, me sugjerim të Ministrisë së Mbrojtjes, hapësira ajrore është rihapur në orën 14:46.

“Autoritetet kombëtare vepruan në mënyrë rigoroze në përputhje me procedurat specifike të zbatueshme për situata të ngjashme. Fluturimet aktualisht po funksionojnë në mënyrë të sigurt dhe të besueshme”, thuhet në deklaratë.

Ngjarja erdhi një ditë pasi vendi i vogël i Evropës Lindore akuzoi Rusinë për komplot për të rrëzuar qeverinë e saj.

Rusia mohoi akuzat e presidentes Maia Sandu, e cila ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për synimet e Rusisë ndaj ish-republikës sovjetike që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt.

Agjencia ruse e lajmeve RIA tha se aeroporti kishte konfirmuar se fluturimet ishin anuluar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy deklaroi javën e kaluar se vendi i tij kishte zbuluar një plan të inteligjencës ruse “për shkatërrimin e Moldavisë”.

Ditë më vonë, qeveria e Moldavisë dha dorëheqjen.

Moldavia tha më 10 shkurt një raketë ruse kishte shkelur hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi në infrastrukturën ukrainase dhe thirri ambasadorin rus për të protestuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore