Shqipëria

Zbulohen 2 call center-a në Tiranë, mashtronin shtetas të huaj të investonin në tregje fiktive


Kontrollet e ushtruara nga policia kanë zbuluar dy call center të tjerë në kryeqytet.

Në to mbizotëronte skema e mashtrimit me synim shtetas në kontinente të ndryshme që të investonin në tregje fiktive.

Bëhet me dije se janë arrestuar katër shtetas, përgjegjës në dy call center-at në fjalë, ku punonin 29 shtetas, 10 prej tyre të paregjistruar.

Në pranga u vunë shtetasit B. B., 31 vjeç, J. J., 31 vjeç, K. D., 30 vjeç dhe A. Ll., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim administratorët e këtyre subjekteve, shtetasit E. A. dhe A. O.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e administratorëve të këtyre subjekteve, të cilët kishin regjistruar fiktivisht aktivitete të tjera të ligjshme.

Kurse të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të tjera.

Ndër të tjera janë sekuestruar 9 mijë euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra telefoni dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, nëpërmjet dy subjekteve ekonomike call center, në kryeqytet, të cilat ishin regjistruar në mënyrë fiktive, si aktivitete të tjera tregtare, të ligjshme, mashtronin shtetas në kontinente të ndryshme, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive.

Po ashtu nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneroheshin nga kjo veprimtari kriminale, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të të afërmve të shtetasve të implikuar në këto raste.

Policia ndërkaq bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasve E. A. dhe A. O., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për administratorët e subjekteve ekonomike që të mos kthejnë bizneset e tyre në call centera ku mashtrohen shtetas shqiptarë apo të huaj, pasi kontrollet, bashkëpunimi me qytetarët dhe puna e inteligjencës policore, vijojnë me intensitet, dhe çdo rast i kësaj veprimtarie kriminale do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore