Lajme

Zbulimi, Patriarku Kirill i Rusisë ishte në shërbim të KGB-së sovjetike në vitet ’70


Jo vetëm një nga udhëheqësit e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill – sot një mbështetës i vendosur i presidentit rus, Vladimir Putin dhe pushtimit të Ukrainës – ishte në shërbim të KGB-së, shërbimeve sekrete sovjetike në vitet 1970, gjatë qëndrimit në Zvicër.

Këtë e kanë bërë të ditur dy gazeta evropiane,” Le Matin Dimanche” dhe “Sonntagszeitung”, të cilat citojnë si burime disa arkiva të deklasifikuara të policisë federale.

Në arkiva shkruhej se “Imzot Kirill i përket KGB-së”.

Në fillim të viteve 1970, thuhet se Kirill jetoi në Gjenevë për të përfaqësuar zyrtarisht Patriarkalen e Moskës në Këshillin Botëror të Kishave (WCC).

Misioni i tij, emri i koduar i të cilit ishte “Mikhailov”, ishte gjithashtu të ndikonte në atë organ.

Në vitet 1970 dhe 1980, qëllimi i sovjetikëve ishte të detyronin institucionin të denonconte Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, por edhe të moderonte kritikat e tij për mungesën e lirisë fetare në Bashkimin Sovjetik.

Po ashtu në artikull nënvizohet refuzimi i Kishës Ruse “për të komentuar veprimtarinë e spiunazhit të Kirillit në Gjenevë”.

Publikimi gjithashtu raportoi se Patriarku Kirill është veçanërisht i dashur për Zvicrën.

“Ai e ka vizituar Zvicrën të paktën 43 herë”, tha “Le Matin Dimanche”.

“Kam ndjenja të veçanta për vendin tuaj. Nga të gjitha vendet në botë, ndoshta është ai që kam vizituar më shpesh”, shpjegoi patriarku në vitin 2019 kur priti Presidentin e Këshillit të Shteteve të Zvicrës, Jean-René Fournier, në Moskë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore