Shqipëria

Zbardhet skenari i opozitës, çfarë pritet të ndodhë në protestën e 20 shkurtit


Pas shumë kohësh, duket se protesta e nesërme e thirrur nga Rithemelimi do t’i bëjë sërish bashkë deputetët e opozitës, kryesisht demokratë.

Ata kanë qenë në një zë për të shkuar drejt protestës.

Në protestë pritet të vijnë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, mbështetës të opozitës, të cilët do t’i bashkohen protestës që do të mbahet para Kryeministrisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në orën 17:30.

Sakaq, mësohet se leja që Rithemelimi ka marrë në polici për vijimin e protestës është rreth 4-5 orë.

Në tubim nuk do të mungojë as fjalimi i Sali Berishës, i cili mund të jetë në një lidhje live online teksa qëndron në arrest shtëpie.

Nga ana tjetër, policia ka vendosur kamera me rezolucion të lartë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Policia e Shtetit ka dalë me një plan të detajuar masash, sa i takon protestës që do të zhvillojë opozita shqiptare të martën e 20 shkurtit.

Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1 mijë e 100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.

Në gatishmëri ndërkaq do të jenë edhe forcat RENEA.

Do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.

Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.

Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës derin në përfundim të saj janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore