Lajme

Zaev: Kosova dhe Serbia problemet duhet zgjidhur përmes dialogut


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës dhe provokimet e bëra nga Serbia i ka quajtur si “të pakëndshme”.

Ai ka bërë apel që të zmbrapsen të gjithë ata që dërgojnë mesazhe të këqija.

Dialogu mes palëve mundëson një zgjidhje të qëndrueshme ka thënë Zaev.

“Ngjarjet që pamë në Kosovë janë të pakëndshme. Ngjarjet që po shohim midis dy vendeve janë të pakëndshme. Ne vetëm mund t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, madje edhe qytetarëve, të huajve apo kujtdo, që mos të dërgojnë mesazhe jo të mira”, ka thënë kryeministri maqedonas Zaev, në një konferencë për media.

Tutje kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se është admirues i dialogut dhe bisedave sepse sipas tij ato “krijojnë miqësi”, andaj ai mbetet një mbështetës i udhëheqësve të vendeve që të ulen në tryezë duke diskutuar zgjidhjet e mundshme.

“Shpresoj që i gjithë rajoni ynë të ulet në tryezë dhe të diskutojë të gjitha zgjidhjet e mundshme,” është shprehur Zaev.

Të gjitha mundësitë për bisedime, partneritet si dhe bashkëpunim dypalësh e shumëpalësh duhet të përdorin vendet e rajonit të cilat kanë aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë Zaev kur është pyetur rreth asaj se si ndikojnë ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në nismën “Ballkani i Hapur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore