Shqipëria

Xhaçka takon ministrin Roth: Sinjal i qartë në mbështetje të Ballkanit Perëndimor


“Vizita e ministrit Roth është një tjetër sinjal i qartë i angazhimit të Gjermanisë në mbështetje të proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor”.

Kështu është shprehur ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të premten e 28 majit, gjatë një takimi të përbashkët me ministrin gjerman të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth.

“Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë. Gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur, edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, kështu u shpreh Xhaçka gjatë takimit dypalësh.

Konferenca e parë Ndërqeveritare

Ministrja vlerësoi qëndrimin dhe angazhimin e Berlinit zyrtar, për arritjen e një konsensusi në gjirin e Bashkimit Evropian (BE) mbi miratimin sa më të shpejtë të Kuadrit Negociues dhe zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Ndërsa ministri Roth ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të mbajtjes së Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda presidencës portugeze të BE-së.

Gjithashtu konfirmoi se Gjermania së bashku me vende të tjera partnere të BE-së janë angazhuar fuqimisht për të sheshuar sa më shpejt të gjitha mosmarrëveshjet ekzistuese midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të arritur objektivin e caktuar.

Ministrin gjerman i Shtetit për Evropën po zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri. Më herët ai zhvilloi një konferencë së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore