Shqipëria

Xhaçka: Rusia ka veshur me petkun e luftës ushqimin, duhet ta zgjidhim


“Rusia ka veshur me petkun e luftës ushqimin, ashtu siç ka militarizuar edhe energjinë”.

Ka qenë ky qëndrimi zyrtar i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjatë një takimi të nivelit të lartë mbi veprimin global për sigurinë ushqimore, të thirrur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Kryediplomatja shqiptare ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve, për gjetjen e një zgjidhjeje, duke i bërë të qartë palës ruse se “bota është e bashkuar”.

“Shqipëria do të punojë për të çuar përpara veprimet e parashikuara në këtë thirrje”, siguroi shefja e diplomacisë shqiptare. “Iniciativa vjen në kohën e duhur, kur situata po përshkallëzohet para syve tanë”.

Një apel i tillë është bërë edhe nga vetë Blinken, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të cilët kanë përmendur faktin se lufta në Ukrainë po sjell rritje të ndjeshme të çmimeve, ku kryesori është ai i drithërave.

Ukraina është ndër eksportuesit kryesorë në botë të grurit.

Në vijim të fjalës së saj, ministrja foli edhe mbi rolin e vet OKB-së në këtë luftë, të cilin e cilësoi si kyç.

“Kriza paraqet një kërcënim për stabilitetin dhe paqen e shumë vendeve dhe rajoneve, ndaj mbështesim rolin e OKB-së si një aktor kyç në adresimin e krizës”, përsiati ajo. “Më shumë njerëz janë në rrezik, më shumë njerëz po shkojnë drejt varfërisë dhe ajo që është po aq shqetësuese është se kriza paraqet një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e shumë vendeve dhe rajoneve”.

Një krizë e mëtejshme ekonomike është po ashtu e mundur, sipas Xhaçkës, për shkak të përshkallëzimit që lufta mund të ketë.

Ndaj, mbi këtë premisë, ajo e përmbylli fjalën e saj, duke bërë thirrje për veprim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore