Sport

Wolves prezanton në mënyrë të veçantë nënshkrimin e Diego Costa-s (VIDEO)


Sulmuesi i njohur me origjinë braziliane, Diego Costa, tashmë edhe zyrtarisht është futbollisti më i ri i Wolverhampton.

Costa i ka kryer testet mjekësore me “Ujqërit” gjatë ditës së hëne, derisa menjëherë ka nënshkruar kontratë që do t’i mbajë palët të lidhur deri në fund të këtij sezoni.

Ndërsa prezantimi i nënshkrimit ka qenë i veçantë nga klubi anglez.

Diego Costa edhe pse nuk është në momentin e tij më të mirë sportiv, mund t’i ofrojë shumë eksperiencë dhe gola skuadrës së “Ujqërve”. Përveç kësaj, ai e njeh Premier Ligën pasi fitoi dy tituj kampion me Chelsea-n.

Edhe pse ai ka qenë pa një klub që kur u largua nga Atletico Mineiro në janar, ish-reprezentuesi i Spanjës beson se nuk do t’i duhet shumë kohë për t’u rikthyer në formë në Premier League.

“Wolves është një klub me lojtarë shumë të mirë, që dinë të luajnë futboll, dhe të kesh mundësinë për të luajtur sërish në Premier League ishte gjëja kryesore”, tha sulmuesi veteran në prononcimin e parë si futbollist i Wolves.

Kujtojmë që sulmuesi 33-vjeçar ishte pjesë e Chelsea-t për tre vite e gjysmë. Ai zhvilloi në total 120 ndeshje me fanellën e kaltër, prej të cilave kishte shënuar 59 gola.

Ndërkohë, para Chelsea-t, Costa ishte pjesë e Atletico Madrid-it, i cili kishte realizuar 64 gola në 135 paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore