Lajme

Vulin viziton bazën ushtarake afër Kosovës – “Po presim urdhërat e Presidentit”


Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandar Vulin

Pasditen e së mërkurës, Ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vizituar bazën ushtarake serbe Shushnjak, afër Kosovës, ku është shprehur se “Ministria e Punëve të Brendshme është në gatishmëri për të mbrojtur serbët nga dhuna e shqiptarëve”.

“Në Zonën e Sigurisë Tokësore, situata është e qetë dhe krejtësisht nën kontroll. Në secilën pjesë të territorit tonë, rendi dhe ligji respektohen dhe prona e siguria personale e secilit qytetar të vendit tonë është e ruajtur”, ka deklaruar Aleksandër Vulin.

Ndërsa u shpreh se “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ushtria e Serbisë jemi gati të zbatojmë secilin urdhër që na jep Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.

Vulin tha se do ti përgjigjet “çfarëdo dhune nga ana e Kosovës”.

“Dhuna në zonën e Kosovës nuk është opsion dhe dhunë kundër serbëve nuk do të ketë pa një përgjigje të merituar nga shteti ynë. Siç ka thënë presidenti jonë, Pogromi i Marsit nuk do të ndodh më kurrë”, deklaroi ministri serb.

Ndërkaq në rrugët e qytetit Zveçan të Kosovës, të mërkurën e 29 shtatorit është parë një person i dyshimtë duke lëvizur teksa i njëjti kishte të veshur një bluzë të zezë me mbishkrimin “Xhandarmëria” dhe në kraharorë kishte edhe flamurin e Serbisë si emblemë.

Kjo është bërë e ditur nga burime të RTK-së. Gjithashtu banorët në këtë qytet në kushte anonimiteti kanë deklaruar se po i njëjti person është parë edhe i armatosur duke qarkulluar në qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore