Lajme

Vulin e kritikon Sarrazin-in pasi tha se Gjermania e mbështet Kosovën për anëtarësim në KE: BE-ja s’mund të ulet në dy karrige


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, e ka kritikuar të dërguarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pasi ky fundit tha se Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Të deklarosh në Prishtinë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, dhe në Beograd të flasësh për perspektivën evropiane të Serbisë është hipokrite por edhe ofenduese”, tha Vulin.

“Tani le ta testojnë urtësinë e tyre mbi veten e tyre, Bashkimi Evropian nuk mund të ulet në dy karrige dhe të kërkojë që Serbia të respektojë politikën e saj dhe në të njëjtën kohë të mbështesë Prishtinën që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, shtoi ai. .

Ai ka thënë se “nuk duhet të presim edhe 20 vjet për të ditur se Bashkimi Evropian nuk do të na duan dhe se nuk ka vend në Këshillin e Evropës për shtetin e Serbisë dhe Kosovën”.

“Shpeshherë vijnë paralajmërime nga Bashkimi Evropian se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige”.

Sipas tij, le të vendosë Bashkimi Evropian, duke shtuar se “nga angazhimi i saj varen shumë vendime tona”.

Më 13 maj, i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në konferencë për media ka konfirmuar se Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, ai theksoi se Gjermania do të mbështesë Kosovën në çdo rrugëtim drejt integrimit evropian.

“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, deklaroi Sarrazin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore