Lajme

Vujiçiç tregon çfarë ndodhi në Bruksel: Kurti ishte i vrazhdë, por kur foli Vuçiç “në sallë ra heshtja”


Danijela Vujiçiç

Kryesuesja e Ekipit Menaxhues për hartimin e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Danijela Vujiçiç, në një intervistë për mediumin e afërt me regjimin në Serbi “Novosti”, ka folur për ecurinë e paraqitjes së këtij drafti në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, më 2 maj në Bruksel.

Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshtoi nenin 2 ku flitet “për territorin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe dhe simbolet”; nenin 17 që “parasheh” që ky mekanizëm të menaxhojë prona dhe asete publike, infrastrukturë dhe burime natyrore.

“Ata e vënë në diskutim pjesën e të drejtës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të marrë para nga buxheti i Serbisë, si dhe Nenin 54 e cila i referohet faktit se Asociacionit i përkasin të mirat në përdorim të përgjitshshëm – rrugët, urat, tunelet, hekurudhat, parqet”, tha Vujiçiç.

Teksa ka folur për ecurinë e takimit të nivelit të lartë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ajo tregoi se i kishte 30 minutë kohë për ta shpalosur atë, porse pretendoi se kryeministri Kurti me nervozizëm e kishte pyetur “edhe sa kohë të duhet?”.

“Kurti paturpësisht dhe tejet i vrazhdë pyeti ‘edhe sa kohë ju duhet’, sepse ishte i inatosur nga përshëndetja që presidenti [Vuçiç] më bëri mua dhe koleges [Jelena] Beloviç – ‘ku jeni serbet e mia nga Kosova dhe M.? Kurti dhe Bislimi po bënin shaka e qeshnin në mënyrtë tallëse”, tha ajo.

“Presidenti Vuçiç reagoi dhe në sallë ra heshtja. Ndaj vërejtjes së Kurtit se unë jam një zyrtare serbe – deputete në Kuvendin e Serbisë – duke dashur të insistojë se i përksaj një shteti tjetër, presidenti Vuçiç iu përgjigj me fjalët: ‘Unë jam këtu dhe jam presidenti i juaj’”, shtoi ajo.

Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri Kurti.

Për më tepër, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se koordinatorja e këtij ekipi “është në konflikt interesi”, ngase ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Serbisë, për çka ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e këtij ekipi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore