Lajme

Vuçiç pas takimit me Lajçak-un: Biseduam për “kushtet e padurueshme” të serbëve në Kosovë


Miroslav Lajçak

Të premten ka përfunduar takimi i të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

Përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, Vuçiç ka deklaruar se tema kryesore e takimit ka qenë situata në Kosovë dhe siç pretendon ai “kushtet e padurueshme për jetët e komunitetit serb” në Kosovë.

“Shqyrtuam mundësitë dhe temat për vazhdimin e bisedimeve konstruktive në Bruksel, si dhe hapat e nevojshëm për progres drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Vuçiç ndër të tjera ka bërë të ditur se ka bërë i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që të angazhohet konkretisht dhe me vendosmëri për çështjet me rëndësi themelore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Para vizitës në Beograd, Lajçak qëndroi në Kosovë, javën e kaluar.

Lajçak paralajmëroi se do t’i ftojë kryenegociatorët e të dyja palëve – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për diskutime të mëtejshme për çështjen e dinarit serb.

Në Kosovë këtë javë për vizitë qëndroi edhe i deleguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Top-diplomati amerikan takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të enjten në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Ai deklaroi para gazetarëve se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përveçse u shkaktoi vështirësi pjesëtarëve të komunitetit serb, shtoi plasaritje të reja në marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.

Escobari e cilësoi “urgjencë humanitare” rregulloren e ndryshuar të BQK-së, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar, megjithëse shtoi se shpreson që Qeveria e Kosovës t’i marrë parasysh propozimet dhe këshillat amerikane.

Ndërsa të premten në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, diplomati amerikan, potencoi se e nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, tha Escobar.

Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel, më 19 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore