Kosova

Vuçiç paralajmëron “takime të rëndësishme” në Francë – drejt Parisit pritet të fluturojë edhe Kurti


Alekandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Presidenti i Serbisë, Alekandër Vuçiç, ka njoftuar se të enjten do të udhëtojë drejt Francës, ku pritet të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili kohën e fundit ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Do të kem takim me kryeministrin belg [Aleksandër De Croo], por sigurisht se do të kem takim edhe me Macronin. Unë kam takime të rëndësishme në Paris”, ka deklaruar të mërkurën presidenti serb në një paraqitje televizive, duke iu referuar edicionit të pestë të Forumit të Paqes (PPF) i cili do të mbahet mes 10 dhe 11 nëntorit në Paris.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të udhëtojë drejt Parisit për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ku liderët botërorë, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të shoqërisë civile mblidhen për të adresuar nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, posaçërisht në kohëra të turbulencave ndërkombëtare.

Albanian Post ka kuptuar nga burime ndërkombëtare se kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohet në kuadër të Forumit të Paqes për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të përpjekeve të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Udhëtimi i Kurtit dhe Vuçiçit drejt Parisit vjen rreth dy javë pas ciklit të takimeve në Bruksel, ku kryeministri kosovar dhe preisdenti serb, janë takuar veç e veç me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, pas “stuhisë diplomatike” në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut.

Ekskluzive: Kosova u pajtua qysh të shtunën me ‘planin e ri’ evropian – pritet takim me Vuçiç-in në Forumin e Paqes në Paris dhe heqje sanksionesh pas takimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore