Shqipëria

Vritet sërish një grua, “edukimi kulturor është faktori kryesor”


Sërish një skenë makabre, një tjetër krim brenda familjes është regjistruar në Shqipëri.

Në Kusarth të Elbasanit, një 44-vjeçare është goditur për vdekje me sëpatë nga kunati i saj.

Si të ishte fragment nga “Krim dhe Ndëshkim”, autori i vrasjes, pas kryerjes së krimit, i ka ikur vendit të ngjarjes me sëpatën në dorë dhe me duart e lara me gjak.

Por për fat të mirë nuk mundi të shpëtonte paçka vrapit. Ra në prangat e policisë.

Profesoreshë Arjana Muçaj, përgjegjëse e Departamentit të Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës, ka dhënë për “Albanian Post” shpjegimin e saj për kësi fenomenesh.

Sipas saj, edukimi kulturor në këtë grupmoshë është faktori kryesor që ka ndikim të drejtpërdrejtë.

“Modeli atëror ku femrat shihen si sende përcillet në breza dhe ky është motivi kryesor”, ka theksuar Muçaj.

Ajo ka sqaruar se nuk duhet neglizhuar as varësia nga alkooli te meshkujt si pjesë e pandashme e tryezës sonë familjare.

“Për aq kohë sa mendësia mashkullore nuk ndryshon, ne do të vazhdojmë me këto raste dhune”, ka paralajmëruar profesoresha.

Cenimi i krenarisë mashkullore ose përbuzja femërore, sipas saj, mund të jenë shtysë nga ana emocionale e këtyre reagimeve.

Ndërkohë, ngjarja e fundit vjen jo shumë kohë pas tre vrasjeve të njëpasnjëshme dhe tre plagosjeve të mesditës së 1 marsit.

Të gjitha të kryera nga i njëjti autor, në një periudhë kohore prej jo më shumë se 30 minutash, nga Dan Hutra, një person me precedentë të mëparshëm kriminalë, i cili tronditi mbarë opinionin publik.

Një tronditje që nuk erdhi vetëm për mënyrën dhe realizimin e vrasjeve në mes të ditës në zonën e Paskuqanit dhe Kamzës në kryeqytet, por edhe për faktin se përballja e tij e vetme agresore ishte ajo ndaj grave dhe vajzave.

Statistikat

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar pas pandemisë.

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato, ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

Më tej, në raport del në pah se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore