Lajme

Vrasjet e grave, Osmani takon Sveçlën, Haxhiun e Hoxhën: Do kërkoj rritjen e masave ndëshkuese ndaj kryesve të këtyre veprave


Foto: Presidenca e Kosovës

Pas vrasjeve të fundit të grave në Kosovë (Ferizaj dhe Pejë), Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministren e Policisë, Albulena Haxhiu dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, në këtë takim Osmani ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me  trendin alarmues të vrasjes së grave dhe nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve tanë.

Përgjatë takimit, bëhet e ditur, u diskutua edhe nevoja e rritjes së ndëshkimeve e po ashtu për ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal.

“Presidentja Osmani, ditëve në vijim do të zhvillojë takime me institucione të tjera relevante, me kërkesën për rritjen e masave parandaluese, reaguese dhe ndëshkuese në raport me kryesit e këtyre veprave”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që brenda kompetencave dhe mekanizmave që kanë në dispozicion të mos neglizhojnë as edhe një rast të dhunës në familje.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë në një konferencë për media të martën, pas takimit që patën institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për shkak të rritjes së numrit të vrasjeve të grave në Kosovë, posaçërisht pas këtyre të fundit në Ferizaj dhe Pejë.

“Kur po kemi raste të neglizhencave, të mosveprimeve, shteti vetë po e shndërron dhunuesin në vrasës”, ka deklaruar Haxhiu.

Pas takimit, ku të pranishëm ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe përfaqësuesit e sistemit gjyqësor e prokurorial, Haxhiu ka njoftuar se janë kërkuar që për një sërë çështjesh të merren veprime urgjente.

“Të bëhet urgjent nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, të bëhet saktë vlerësimi i sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje dhe të analizohet se si po sigurohen këto armë”.

“Urgjentisht KPK-ja të hapë pozita për mbrojtësit e viktimave, të adresohet secili lëshim në lëshimin e procedurave të rregullta të dhunuesve, të lëshohet udhëzues detyrues nga Kryeprokurori për të gjithë prokurorët, kur ka dyshime për dhunë në familje të mos ketë vendime për lëshim në procedurë të rregullt, të avancohet politika ndëshkimore, nuk është dënuar askush maksimalisht për ‘dhunën në familje’ si dhe ngritjen e një institucioni që merret me rehabilitimin e personave me probleme narkotike”, shtoi.

Tutje, ministrja ka theksuar se “femicidin” do ta bëjnë vepër penale të veçantë, derisa ka shtuar se dhuna në familje dhe femicidi “janë armiku i brendshëm me rrezik të madh për Kosovën”.

“Është alarmante, por edhe brengosëse që individë të shumtë të shoqërisë tonë e shohin dhunën si mjet të rëndomtë për tejkalimin e problemeve, që shpeshherë po përfundojnë në fatalitet, me vrasjen e grave”, shtoi.

“Me plot bindje them se ky fenomen është armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare, këto akte monstruoze shkatërrojnë jo vetëm jetën e viktimave, por edhe familjeve të tyre dhe shoqërinë në tërësi”, potencoi.

Ndryshe, presidentja Osmani, ka njoftuar se dita e mërkurë është shpallur ditë zie shtetërore pas vrasjes së një gruaje në Pejë.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Haxhiu: Kur po kemi raste të mosveprimeve, shteti po e shndërron dhunuesin në vrasës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore