Lajme

“Vrasje, ndalim arbitrar, rrahje me pushkë e shkopinj bejsbolli, lidhje me zinxhirë dhe ujë kanalizimi”, çfarë thuhet në aktakuzën e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së


“Ndalim arbitrar, të lidhur me zinxhirë, rrahje me pushkë e shkopinj bejsbolli dhe vegla metalike në të gjithë trupin deri në vdekje”.

Kështu thuhet në aktakuzën e redaktuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të publikuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e cila është bërë publike thuhet se ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi dhe Sabit Geci, i kanë rrahur të burgosurit dhe kanë abuzuar psikologjik me ta.

Po ashtu në aktakuzë theksohet se të arrestuarave gjatë luftës u janë sekuestruan prona personale dhe nuk u janë kthyer kurrë dhe iu është ofruar ushqim e ujë nga kanalizimi, derisa janë kërcënuar se do të dënoheshin me vdekje.

Sipas ZPS-së, target i ish-krerëve të UÇK-së kanë qenë disa pjesëtarë të njohur të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe persona të tjerë që i kanë konsideruar si bashkëpunëtorë të regjimit serb.

Ndërsa, në Zonën Operative të Dukagjinit, krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi akuzohen se ndërmorën veprime për të frikësuar dhe “për të vendosur dominimin mbi njësitë e lidhura me LDK-në, duke përfshirë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (“FARK”) të lidhura me qeverinë në ekzil”.

Po ashtu në fshatin Qirez të Skenderajt, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, “së bashku me anëtarët e tjerë dhe me Sabit Gecin, morën pjesë dhe udhëhoqën arrestimin, ndalimin dhe frikësimin e 13 anëtarëve të një delegacioni parlamentar që ishin në një vizitë humanitare në Qirez.

Sipas ZPS-së, thuhet se Thaçi dhe Selimi ishin të pranishëm si në vendin e arrestimit në Qirez ashtu edhe në fshatin Baicë të Drenicës.

“Më pas të arrestuarit u transferuan, u rrahën dhe u morën në pyetje. Në kuadër të kësaj ngjarjeje, pasi anëtarët e delegacionit ishin rrahur rëndë dhe kishin lëndime të dukshme, Hashim Thaçi dhe Sabit Geci i morën në pyetje anëtarët e delegacionit, duke përfshirë edhe kërkesën që të hiqnin dorë nga Ibrahim Rugova dhe LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga funksionet e tyre parlamentare”.

Ndërkaq, Rexhep Selimi, sipas ZPS-së para lirimit të të arrestuarve, “ua ktheu kartat e identifikimit”.

Po në të njëjtin rast të ndalimit, Sabit Geci, në prani të Hashim Thaçit, “deklaroi se do ta vriste një anëtar të delegacionit”.

Po ashtu sipas ZPS-s, Hashim Thaçi, pak para se anëtarët e delegacionit të liroheshin, iu kishte drejtuar një anëtari të delegacionit me fjalët ‘edhe nëse je i lirë tani, mund të vrasim në Prishtinë’.

ZPS-ja pretendon se të ndaluarit goditeshin në të gjithë trupin me pushkë, shkopinj bejsbolli, vegla metalike, shkopinj druri si dhe duke u grushtuar dhe shkelmuar deri në vdekje.

“Ata mund të dëgjonin dhe shihnin abuzimin e rëndë të personave tjerë të arrestuar, përfshirë anëtarët e familjes, dhe u detyruan të rrihnin njëri-tjetrin. Të arrestuarit janë marrë në pyetje dhe janë akuzuar si tradhtar për përkrahje të LDK-së, duke u shoqëruar me serbët, duke qenë spiunë dhe bashkëpunëtorë me autoritet serbe dhe duke mos e përkrahur UÇK-në”, thuhet në aktakuzë.

“Në gusht të vitit 1998, Rexhep Selimi ishte i pranishëm, ndërsa një i paraburgosur u mor në pyetje dhe u akuzua për bashkëpunim dhe spiunim për autoritetet serbe”.

Gjithashtu, në shtabin e UÇK-së në Breshanc, sipas ZPS-s, ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë marrë masa për ta bindur një anëtar të njohur të Lidhjes Demokratike të Kosovës të bëjë publike një deklaratë në mbështetje të UÇK-së.

Po ashtu sqarohet se i pranishëm me këtë rast ka qenë edhe një anëtar tjetër i njohur i LDK-së, “i cili ka refuzuar të bëjë një deklaratë publike”.

“Ky njeri ishte është rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë aktakuzë, thuhet se në tetor 1998, në Jabllanicë, pretendohet se Rexhep Selimi kishte kërcënuar një gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut, “duke e akuzuar se kishte kritikuar UÇK-në”.

Ndërkaq, në aktakuzë përmendët se midis janarit dhe majit 1999, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ishin përfshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit dhe/ose lirimit të të burgosurve të mbajtur në një vend paraburgimi afër fshatit Kleçkë të Malishevës.

“Në prill të vitit 1999, një ushtar i maskuar i UÇK-së i referuar nga ushtarët e tjerë si “Dhjetëshi” rrahu keq një të burgosur në Kleçkë. Më vonë i arrestuari ka kuptuar se Rexhep Selimi ishte ‘Dhjetëshi”.

Shala e Bajgorës në Mitrovicë, po ashtu është pjesë e aktakuzës.

Aty pretendohet se pas arrestimit të dy gazetarëve serbë më 18 tetor 1998 ose rreth kësaj date, Hashim Thaçi, së bashku me Fatmir Limaj, i kishin marr në pyetje.

Ky rast, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishte tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe me këtë rast ishin dhënë udhëzime specifike që dy të arrestuarit të trajtoheshin mirë.

“Në ditën e pestë apo të gjashtë të paraburgimit, një ushtar i UÇK-së i bërtiti njërit prej gazetarëve dhe i vuri një armë automatike në gojë dhe në sy. Gazetarët më pas u transferuan dhe u keqtrajtuan në një lokacion afër Kleçkës, Lipjan ku disa anëtarë të UÇK-së i rrahën dhe kërcënuan njërin prej tyre me vdekje; dhe një vend të tretë, të panjohur, ku ata janë goditur me shkelma dhe/ose kërcënuar me vdekje”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, dyshohet se në një moment gjatë ndalimit, këta gazetarë u njoftuan se ishin dënuar me burgim, edhe pse nuk u mbajt asnjë gjykim.

Po ashtu në këtë lokacion pretendohet se pas arrestimit të dy anëtarëve të LDK-së, disa anëtarë të UÇK-së, gjatë rrugës për në Shalë, akuzuan LDK-në për bashkëpunim me autoritetet serbe dhe e quajtën “Ibrahim Rugovën tradhtar”.

“Kur një i burgosur kundërshtoi, pjesëtarët e UÇK-së mbuluan kokat e të burgosurve, ua lidhën duart pas shpine dhe i rrahën. Gjatë ndalimit të tyre, një pjesëtar i UÇK-së i tha njërit prej të burgosurve se ai do të dënohej me vdekje”.

Ndërsa sipas pretendimeve të ZPS-s të burgosurve në fshatin Jabllanicë të Gjakovës iu ofrua ushqim dhe ujë nga kanalizimi.

Në aktakuzë po ashtu potencohet se të arrestuarve u sekuestruan prona personale dhe nuk iu kthyen kurrë, derisa shumë anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, i cili në mënyrë rutinore i rrinte të arrestuarit.

“Të arrestuarit u goditën të gjithë mbi trupat e tyre me shkopinj bejsbolli, grushtua, shkelma, thika dhe janë kërcënuar me vdekje. Të paktën në një rast, u urdhëruan të vrisnin njëri-tjetrin. Të arrestuarit ishin marrë në pyetje dhe akuzuar për shoqërim me serb ose polic dhe për të qenë spiun dhe bashkëpunëtor me autoritetet serbe. Ndër të arrestuarit kishte rom, serb, boshnjak dhe malazez”.

Ndërsa në fshatin Drenoc të Rahovecit, sipas aktakuzës tregohet se Thaçi, Veseli dhe Selimi kishin ndihmuar për ti arrestuar të paktën 38 persona me forcë.

Po ashtu në aktakuzë përmenden edhe qyteti i Gjilanit, Prishtinës, Novobërdës, Bajgora, Zllashi, Prizreni, Rahoveci dhe disa fshatra të tjerë ku pretendohet se janë keqtrajtuar të burgosurit, por edhe qyteti i Kukësit dhe fshati Cahan në Shqipëri.

Specialja publikon emrat e viktimave që pretendohet se janë vrarë nga ish-krerët e UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore