Kosova

“Vrasja në tentativë” cilësohet rasti për të shtënat me armë para Ministrisë së Industrisë


Foto nga vendi i ngjarjes.

Të hënën e 10 tetorit, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë, një veturë në qarkullim u godit nga të shtënat me armë, nga një person i dyshimtë që po qarkullonte me një motoçikletë.

Këto rrugë për disa orë kanë qëndruar krejtësisht të bllokuara nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka cilësuar rastin si “vrasje në tentativë”.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj prokurorie Laureta Ulaj, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Ulaj për AP.

Ilustrim.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci kishte bërë të ditur për Albanian Post se policia për rastin ishte informuar rreth orës 15:40.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar,  nga një  motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture”.

Borovci shtoi se, “nuk raportohet për persona të lënduar”.

Teksa hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, janë duke ndërmarrë veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore