Lajme

Vrasja e Sebahate Morinës, Halimi: Heshtja është përgjigjja e vetme e shtetit


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se dy javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i bëri përgjegjës Prokurorinë dhe Policinë për jetën e Sebahate Morinës, heshtja është përgjigjja e vetme e shtetit.

Ajo ka kërkuar që vendimi i një autoriteti siç është Gjykata Kushtetuese duhet të përcillet me veprime konkrete, shkarkime dhe dorëheqje, duke shtuar se “heshtja nuk është kurrë përgjigje, por veprimi i vendosur i ligjit”.

“Kur shteti është patriarkal, vrasja e grave shndërrohet vetëm në lajme kronikash të zeza. Mobilizimi shoqëror për sundimin e ligjit dhe përgjegjësit e institucioneve të drejtësisë lidhur me mbrojtjen e grave dhe vajzave është emergjencë nacionale”, shkroi ajo në Facebook.

Ndryshe muajin e kaluar, Kushtetuesja konstatoi një seri shkeljesh në trajtimin e këtij rasti. Shkeljet e konstatuara hedhin përgjegjësinë mbi Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Graçanicë dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës se kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive në mbrojtjen e jetës së Sebahates.

Këto shkelje i kishte konstatuar një raport i hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK).

“Një vendim i Gjykatës Kushtetuese që konstaton se një qytetareje të Kosovës i është shkelur e drejta për jetë dhe në të njëjtën kohë që janë shkelur edhe Standardet e Konventës së Stambollit, do të thotë është e papranueshme të mos ketë reagim institucional pas një vendimi kaq të rëndësishëm ”, thotë Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), organizatë kjo që hartoi kërkesën kushtetuese në emër të fëmijëve të Sebahates.

Sipas të dhënave të institucioneve në 12 vjetët e fundit në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore