Shqipëria

Vrasja e Klodian Rashës, Gjykata pranon kërkesën e ish-efektivit


Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj policit Nevaldo Hajdaraj, i cili akuzohet për vrasjen e Klodian Rashës.

Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i Shqiponjave në Laprakë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dritan Hoxha”, rreth orës 01:10, pas mesnate.

Sipas familjarëve, ai kishte dalё nga shtëpia për të blerë një paketë cigare.

Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”. Pas pesë minutash ndjekjeje nga policia, Rasha u qëllua me armë nga Hajdaraj.

Pamjet filmike tё kamerave tё sigurisё treguan se, mes Klodian Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike. Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Hajdaraj e ka parë se Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Vrasja e 25-vjeçarit në lagjen e tij shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe protesta në disa qytete në vend.

Në seancën e 26 marsit, ku ishte i pranishëm edhe babai i 25-vjeçarit të vrarë, ai i kërkoi ndjesë babait të Rashës, duke i thënë se nuk e kishte dëshiruar ngjarjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore