Lajme

Vrasja e grave, vendi pa Kryeprokuror qe gati tri vite – “përgjegjësia bie edhe mbi Osmanin”


Vjosa Osmani

Qe gati tri vite Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka lënë vendin pa Kryeprokuror të Shtetit edhe pse Këshilli Prokurorial e propozoi në këtë pozitë Blerim Isufajn, të cilin e para e shtetit nuk e ka dekretuar, meqë sipas saj, procesi i përzgjedhjes ishte “i parregullt dhe diskriminues”.

Ndërkaq pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeprokurorit vazhdon ta ushtrojë, Besim Kelmendi, derisa vetëm brenda katër dite dy gra u vranë në Kosovë.

Për këtë, juristët thonë se përgjegjësia “bie edhe mbi Osmanin”, meqë sipas tyre e ka për detyrë ta dekretoj kryeprokurorin.

“Mungesa e emërimit të kryeprokurorit të shtetit padyshim ndikon në efikasitetin e organeve të hetuesisë dhe të organeve akuzuese”, thotë avokati Skender Musa për Albanian Post.

Prandaj, Musa konsideron se zgjedhja e kryeprokurorit “çështje urgjente” në mënyrë që qytetarët të ndihen sa më të sigurt.

“Nuk duhet nënvlerësuar rëndësinë e kësaj pozite e cila ka rëndësi për sundimin e ligjit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Në një linjë me Musën është edhe avokati tjetër Ardian Bajraktari, meqë thekson se një nga kompetencat e presidentes është edhe për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve.

“Kjo presidente më shumë ngjanë si përfaqësuese e ndonjë organizate jo-qeveritare se sa që reflekton në raport me rolin dhe funksionin kushtetues që ka”, theksoi Bajraktari për AP.

“Rast tipik i mos ushtrimit të përgjegjësisë së saj është rasti i mos veprimit dhe mosdekretimit të kryeprokurorit të shtetit si njëra nga pozitat kyçe në sistem të drejtësisë”.

Megjithatë, kundërshtimi zyrtar nga presidentja është bërë në arsyetimin se ka pasur shumë ankesa për Isufajn.

Duke refuzuar ta emërojë kandidatin Isufaj, që aktualisht është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Osmani e ka lënë që gati tri vite institucionin kryesor hetues të drejtësisë në vend me ushtrues detyre.

Ndërkaq pas vrasjeve të fundit të grave në Kosovë (Ferizaj dhe Pejë), Osmani, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, në këtë takim Osmani ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me trendin alarmues të vrasjes së grave dhe nevojën urgjente që të fuqizohen të gjitha hallkat brenda institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë detyrim kushtetues që ta mbrojnë jetën e qytetarëve tanë.

Përgjatë takimit, bëhet e ditur, u diskutua edhe nevoja e rritjes së ndëshkimeve e po ashtu për ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal.

Po ashtu, Osmani ka njoftuar se dita e mërkurë është shpallur ditë zie shtetërore pas vrasjes së një gruaje në Pejë.

Këtë të martë, një grua është vrarë të martën në Pejë, derisa dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj i cili është prangosur nga policia.

Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda katër ditëve në Kosovë. Më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore